Pretendimi: Ish-këshilltari i presidentit amerikan Trump, John Bolton, është dënuar me burg për spiunazh

Pretendimi: E pavërtetë

———————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se John Bolton, një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare për presidentin amerikan Donald Trump, i cili është kthyer në një nga kritikët e tij më të ashpër, është dënuar me burg për spiunazh.

Megjithatë, ky pretendim nuk është i vërtetë.

Ai duket se është keqintepretim i lajmit të vërtetë se Bolton u padit të enjten, më 16 tetor, me akuzat e keqpërdorimit të materialeve të klasifikuara dhe të ndjeshme.

Departamenti i Drejtësisë i paraqiti çështjen një jurie të madhe në Maryland, dhe ata ranë dakord se kishte prova të mjaftueshme për të paditur Bolton. Ish-këshilltari pritet të paraqitet për herë të parë në gjykatë për çështjen të premten më 17 tetor.

Një aktakuzë në sistemin e drejtësisë amerikane është një akuzë formale e lëshuar nga një juri e madhe – një grup anëtarësh të publikut të ngritur nga një prokuror për të shqyrtuar provat për të përcaktuar nëse një çështje duhet të vazhdojë.

Pra, dje, më 16 tetor, u vendos që çështja e Departamentit të Drejtësisë kundër Bolton do të shkojë për gjykim. Për të dënuar Bolton, prokurorët federalë do të duhet të vërtetojnë se ai veproi me qëllim të vullnetshëm për të shkelur ligjin federal.

Aktakuza e ngarkon Bolton me 18 akuza për transmetim ose ruajtje të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Secila prej akuzave mbart një dënim maksimal prej 10 vitesh burgim nëse ai dënohet.

Aktakuza

Ai akuzohet për përdorimin e email personal dhe një aplikacioni mesazhesh për të ndarë më shumë se 1 mijë faqe shënimesh rreth aktiviteteve të tij të përditshme si këshilltar i sigurisë kombëtare i Trump në 2018 dhe 2019. Shënimet, të cilat iu dërguan dy anëtarëve të familjes që nuk kishin leje sigurie, përfshinin informacione të mbrojtjes kombëtare, të tilla si detaje të klasifikuara si sekret, sipas aktakuzës.

Sipas The Washington Post, Bolton është shënjestra e tretë e Trump që akuzohet federalisht brenda një muaji, krahas James B. Comey, ish-drejtori i FBI, dhe Letitia James, prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut..

Ndërsa Bolton është pjesë e një sërë armiqsh të perceptuar të Trump që bëhen shënjestra të prokurorisë, hetimi federal ndaj tij fitoi vrull gjatë administratës Biden, kur agjencitë e inteligjencës amerikane mblodhën çfarë ish-zyrtarët përshkruan si prova shqetësuese.

Bolton deklaroi se aktakuza ishte pjesë e një fushate frikësimi kundër kritikëve të Trump. “Pres me padurim luftën për të mbrojtur sjelljen time të ligjshme dhe për të ekspozuar abuzimin e tij me pushtetin”, tha ai.

Bolton ka qenë komentator televiziv për më shumë se një dekadë, dhe aktakuza përdor disa nga deklaratat e tij kundër tij, përfshirë deklaratën e tij se nëse do të kishte bërë atë që bëri Hillary Clinton duke përdorur një server privat email si sekretar shteti, “do të isha në burg tani”.

Vetë Trump u akuzua në vitin 2023 për posedim të paligjshëm të informacionit të klasifikuar, pasi kuti me dokumente të klasifikuara u gjetën në të gjithë shtëpinë e tij në Mar-a-Lago. Por një gjykatës federal që ai emëroi i rrëzoi akuzat në vitin 2024.