Pretendimi: Edi Rama dhe Berisha në panik pas rikthimit të Yuri Kim në Tiranë
Verdikti: E pavërtetë, Clickbait
Barbara Halla
Një artikull po qarkullon në mediat shqiptare ku sugjerohet se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim është rikthyer në Shqipëri. Në fakt, nuk bëhet fjalë për një rikthim të mirëfilltë, por një titull i cili është përdorur për të tërhequr vëmendjen e lexuesit. Kjo bëhet e qartë në tekstin e artikullit, ku sqarohet metafora e përdorur. Yuri Kim përfundoi misionin e saj diplomatik në Shqipëri në qershor 2023 dhe tani shërben në Departamentit të Shtetit të SHBA-së në Washington.


Artikulli nuk ka të bëjë me Yuri Kim, por me Gledis Nanon, ish-drejtorin e Policisë së Shtetit Shqiptar, i cili ka aplikuar për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH). Në artikull, Nano është një nga 13 kandidatë që ka aplikuar për këtë pozicion, i cili do të përzgjidhet nga drejtuesit e SPAK. Në këtë artikull, Nano paraqitet në mënyrë të pabazë si agjenti i Yuri Kim, e cila prej disa vitesh nuk punon më në Shqipëri. Si titulli dhe artikulli pretendojnë se kandidimi i Nanos është orkestruar nga Kim, edhe përse nuk ka asnjë provë mbi këtë pretendim.
Për më tepër, sugjerimi se kandidatura e tij ka shkaktuar “panik” në qarqet politike paraqitet pa asnjë mbështetje në fakte. Artikulli nuk citon deklarata, dokumente apo reagime nga Edi Rama apo Sali Berisha.
Një nga aludimet e tjera të artikullit ka të bëjë me faktin se që prej ikjes së Kim, Shtetet e Bashkuara nuk kanë emëuar një ambasador të ri në Shqipëri.

Artikullin e portretizon këtë mungesë si të dyshimtë, ose pjesë e një manovre të fshehtë politike. Megjithatë, ky interpretim injoron kontekstin më të gjerë diplomatik. Emërimet e ambasadorëve shpesh përjetojnë vonesa për shkak të problemeve procedurale dhe politike në Washington, veçanërisht procesit të konfirmimit të ambasadorëve të rinj në Senatit e SHBA-së. Disa ambasada amerikane në mbarë botën drejtohen nga chargé d’affaires dhe jo ambasadorë, dhe kjo nuk konsiderohet si e pazakontë.
Artikulli po ashtu përdor akuza të pavërtetuara rreth aleancave të Edi Ramës me figura dhe organizata ndërkombëtare, si ish-agjenti i FBI-së Charles McGonigal, Fondacioni Soros dhe USAID. Këto elemente krijojnë një narrativë sipas të cilës SHBA është kthyer kundër Ramës dhe ai tashmë është në gjendje paniku. Por, këto pretendime mbështeten në aludime dhe jo në fakte, duke synuar të nxisin mosbesimin ndaj institucioneve të Shqipërisë dhe ndaj partneritetit të Ramës me Shtetet e Bashkuara.