Pretendimi: Ky imazh tregon një agjent izraelit të lidhur me një raketë iraniane drejt Izraelit
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që duket se tregon një njeri të lidhur pas një rakete. Imazhi i turbullt shoqërohet me pretendimin se tregon agjentë izraelitë të kapur në Iran dhe të lidhur me raketën iraniane për t’u dërguar mbrapsht në Izrael.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një version më të qartë dhe të plotë të imazhit të sfumuar.
Në versionin e plotë, vërehen disa tregues të zakonshëm të imazheve të gjeneruara me programe të inteligjencës artificiale (AI).
Flamuri iranian në raketë është i pasaktë, fytyra e burrit është e turbullt, litari rreth tij nuk duket i qëndrueshëm dhe parmakët dhe shkallët e rampës pranë raketës janë gjithashtu të shtrembër.
Më 15 qershor, policia iraniane njoftoi se kishte arrestuar dy agjentë “të dyshuar” të Mossad, të cilët dyshohet se qëndronin pas “akteve të sabotimit” në Iran. Megjithatë, në njoftim, apo në ndonjë tjetër burim zyrtar, nuk përmendet ‘kthimi’ i këtyre agjentëve në Izrael me anë të raketave.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë një imazh të gjeneruar me AI që pretendohej se tregonte një spiun izraelit të lidhur fizikisht me një raketë dhe lëshuar drejt Izraelit