Këtë fillimviti, numri i personave të prekur nga Covid-19 shënoi rritje të ndjeshme, që u shoqërua me ashpërsimin e masave kufizuese nga qeveria. Faktoje ka monitoruar menaxhimin e kësaj krize edhe në aspektin financiar. Gjatë periudhës 11-mujore, që kur u shfaq pandemia e Covid-19, sektori i Shëndetësisë u vu përballë një prove të madhe që nxorri në pah mungesat në personelin mjekësor, logjistikë dhe medikamente. Megjithatë, shpenzimet më të mëdha sa i takon sektorit të shëndetësisë për 2021-in i zënë 4 kontratat koncensionare me 38 milionë euro, ndërsa për investimet janë planifikuar 29 milionë euro.
Ndërkohë që Shqipëria vazhdon të përballet me sfidat e pandemisë së Covid-19, që u shfaq në mars të vitit të kaluar, raportohen shifra të kripura për vijimin e 4 kontratave koncensionare për shërbimin e Check Up-it, Sterilizimit, Laboratorëve dhe Dializës. Kostoja financiare për këto shërbimeve, sivjet, parashikohet të ëetë rreth 38 milionë euro.
Vetëm “ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore” përmes kontratës koncesionare, ka bërë që gjatë vitit 2020 Ministria e Shëndetësisë të paguajë 400 milionë lekë, ndërsa gjatë vitit 2021 kjo shumë është trefishuar. Bazuar në tabelën e koncensioneve PPP, vetëm për shërbimet laboratorike Ministria e Shëndetësisë do të paguajë një shumë prej 1.280.444.000 lekë.
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu shpreh pakënaqësi mbi dhënien e laboratoreve me koncension:
“Dhënia qoftë e laboratorëve me koncension prish unitetin e spitalit, prish kërkimin shkencor. Nuk është si lavanderia apo mensa. E para humbet uniteti i spitalit. E dyta humbet atë mundësi që ke që ta përdorësh spitalin universitar si strukturë që drejton gjithë jetën universitare spitalore të vendit. E treta humb konceptin e konkurrencës së vendit, duke e dhënë laboratorin në një pronar privat. E katërta, këto janë vendime që i merr vetë bordi i spitalit, jo ta japë ministria. Kjo shkatërron autonominë e spitalit.”- tha Shehu për Faktojen.
Ajo që konstatohet, është se pagesat për koncensionet në fushën e shëndetësisë vetëm për vitin 2021, janë në vlerë 4.46 miliardë lekë (ose rreth 38 milionë Euro). Ndërsa investimet në shëndetësi për vitin 2021 kapin një vlerë 3.56 miliardë lekë (ose rreth 29 milionë Euro), pra thuajse 1 milirdë lekë më pak se pagesat për koncesionet.
Nga ana tjetër, në buxhetin për Ministrinë e Shëndetësisë janë parashikuar investime për rikonstruksion të qendrave shëndetësore, spitaleve apo pavioneve të caktuara në spitalet rajonale, atyre në Tiranë dhe ne pajisjen e tyre me aparatura.
Faktoje ka përfshirë në tabelën përmbledhëse investimet e parashikuara për sektorin e shëndetësise gjatë këtij viti.
*Investimet me financim të brendshëm
*Investimet me financim të huaj, marrë nga faqja Zyrtare e Kuvendit
Por ndërkohë që këto ndërhyrje dhe investime kërkojnë kohë, emergjenca më e madhe mbetet gjetja e vaksinës për kategoritë më të rrezikuara dhe dhënia e ndihmës reale për të prekurit nga Covid-19.