Në Shqipëri jetojnë 2,4 milionë banorë. Ky është përfundimi i INSTAT shtatë muaj pas mbylljes së Censit për popullsinë dhe banesat 2023. Statistikisht, popullsia shqiptare ka rënë me 418 mijë banorë, krahasuar me vitin 2011. Rreth 1/3 e popullsisë jeton në Tiranë, ndërkohë që Kukësi dhe Gjirokastra janë dy qarqet me rënien më të fortë të popullsisë.
Esmeralda Topi
Shtatë muaj pas përfundimit të Censit 2023, Instituti i Statisitikave në Shqipëri publikoi të dhënat paraprake për popullsinë dhe banesat.
“Ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme.”, deklaroi Elsa Dhuli, drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Statistikave.
Referuar të dhënave, krahasuar me Censin e 2011, numri i popullsisë në Shqipëri ka rënë më 418,864 banorë, apo 14,8%. Këto të dhëna sugjerojnë se vendi është pakësuar çdo vit mesatarisht me rreth 35 mijë banorë në 12 vitet e fundit. Tkurrja bëhet më e ndjeshme krahasuar me tre dekada më parë. Popullsia rezidente në Shqipëri është pakësuar me 667,162 banorë krahasuar me Censin e vitit 2001.
Censi i dymbëdhjetë në historinë e shtetit shqiptar, tregon se edhe numri mesatar i anëtarëve për familje ka rënë ndjeshëm.
1/3 e popullsisë në Tiranë
31,6% e shqiptarëve të numëruar nga Censi 2023 rezulton se jetojnë në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10 përqind, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9,7 përqind ndaj popullsisë gjithsej. Qarqet me numrin më të ulët të popullsisë janë Kukësi dhe Gjirokastra.
Dekadën e fundit, popullsia ka ardhur në rënie në të gjithë qarqet, me përjashtim të Tiranës. Në anën tjetër, popullsia e qarkut Tiranë është rritur me 1,2 përqind, më së shumti prej migracionit të brendshëm.
Numërimi i vonuar
Procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave 2023, të cilit INSTAT i referohet me termin Censi, planifikohej të zhvillohej tetorin e vitit 2020. Por për shkak të pandemisë COVID-19 regjistrimi i popullsisë dhe banesave u shty. Afati i ri ishte tetori i 2022. Edhe ky afat u shkel. Këtë herë, shkak u bë dështimi i tenderit për blerjen e tabletave dhe baterive ndihmëse që do të përdoreshin gjatë procesit.
Censi 2023 nisi në shtator të 2023 dhe ishte hera e parë që Shqipëria bëri regjistrim popullsie bazuar në pajisje elektronike. Por pajisjet elektronike duket se nuk ndihmuan INSTAT në publikimin e shpejtë të të dhënave.
Rezultatet paraprake të Censit u publikuan këtë të premte, më shumë se shtatë muaj pasi procesi i numërimit u mbyll. Vonesat në publikimin e të dhënave kanë nxitur debat në Shqipëri mbi besueshmërinë e procesit dhe vërtetësinë e të dhënave.
Pak ditë përpara publikimit të rezultateve paraprake, Komisioni Europian i tha Faktoje se publikimi duhet bërë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Rekomandimet e Konferencës së Statisticienëve Evropianë për Regjistrimet e Popullsisë dhe Banesave në vitin 2020 përmendin se të dhënat e para duhet të vihen në dispozicion sa më shpejt që të jetë e mundur.”, tha një zëdhënës i KE-së për Faktoje.
Por, as Rekomandimet dhe as rregulloret e BE-së (të cilat në asnjë rast nuk i detyrojnë vendet kandidate) nuk përcaktojnë një afat kohor strikt për të dhënat e para që do të publikohen, thekson Komisioni.
“Përpunimi i të dhënave mund të jetë një proces i gjatë. Zyra Kombëtare e Statistikave të çdo vendi është më e pozicionuara për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me arsyet e kohëzgjatjes së përpunimit të të dhënave dhe organizimit logjistik të të gjitha procedurave të regjistrimit.”, përfundon reagimin për Faktoje, Komisioni Europian.
Kontekst
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është censi i tretë i kryer në Shqipëri, prej nga viti 1990, dhe i dymbëdhjeti në historinë e censeve në vend, prej vitit 1913. Përmes numërimit të popullsisë dhe banesave, sigurohen të dhëna të vlefshme për të hartuar strategji kombëtare për zhvillim si dhe për të kuptuar nevojat në ndryshim të popullsisë. Po ashtu, ky aktivitet, ofron informacion thelbësor për të siguruar përfshirjen në integrimin europian nëpërmjet statistikave zyrtare. Kryerja e Censit përmbush kushtin për hapjen e negociatave për procesin e Integrimit Europian. Rezultatet e Censit do të përdoren për të siguruar statistika të nevojshme si pjesë e sistemit statistikor Europianë në të ardhmen.