Autorë: Klejrilda Dashi, Lidjana Qoka
Rrjetet sociale janë kthyer në burime të rëndësishme informacioni, por shpesh përhapen lajme të paverifikuara, duke krijuar konfuzion dhe panik. Informacionet që qarkulluan online për mbylljen e platformës TikTok më 1 dhjetor 2024 rezultuan të pavërteta. Ky rast thekson ndikimin e rrjeteve sociale dhe nevojën për edukim për të mos rënë pre e lajmeve të rreme.
Rrjetet sociale janë një burim kryesor lajmesh dhe thashethemesh. Sidoqoftë, jo gjithçka që qarkullon në këto platforma është e vërtetë dhe rasti i fundit mbi lajmin e rremë për mbylljen e TikTok më 1 dhjetor 2024 e demonstron këtë më së miri.
Gjithçka filloi kur në rrjetet sociale si Facebook, Instagram dhe vetë TikTok u përhapën postime që pretendonin se kjo platformë e njohur do të mbyllej. Lajmi i rremë u shpërnda me shpejtësi dhe shkaktoi shqetësim te përdoruesit, kryesisht të rinjtë.
“Pamë në rrjetet sociale, Facebook, Instagram dhe TikTok që më datë 1 dhjetor do të mbyllej TikTok. E shpërndamë me njëri-tjetrin këtë informacion dhe shokët e mi ishin të bindur që do mbyllej më 1 dhjetor”, tregon Megi, gjimnaziste.
Ela thotë se në klasën e saj u bë temë diskutimi mes adoleshentëve ky informacion që qarkulloi në rrjetet sociale.
“Do na mbyllin TikTok më 1 dhjetor, si do ia bëjmë? Këtë po diskutonim në shkollë të gjithë sapo pamë këtë online, sepse ne jemi shumë të varuar nga ky rrjet social. Rezultoi një informacion i rremë, TikTok punon akoma në telefonin tonë”, shprehet 16-vjeçarja.
Pavarësisht shqetësimit që shkaktoi, lajmi rezultoi të ishte i pavërtetë. TikTok nuk u mbyll më 1 dhjetor në Shqipëri dhe kompania nuk ka bërë për mbylljen e platformës. Ky episod në fakt tregon se si informacionet e paverifikuara mund të krijojnë kaos dhe konfuzion.
Ekspertët kanë ngritur shpesh shqetësimin për rrezikun që vjen nga rrjetet sciale, kryesisht TikTok.
“Me fillimin e përdorimit të TikTok është rritur ndjeshëm niveli i agresivitetit, duke e parë edhe si një garë, ku të rinjtë sot janë të ekspozuar ndaj vizibilitetit, një lloj kompeticioni në rrethet miqësore të adoleshentëve dhe të rinjve se personat që kanë më shumë vizibilitet janë më shumë të pëlqyeshëm dhe kjo çon në imitimin e personave që kanë vizibilitet”, thekson Mirgit Vataj, kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë.
Në fund të muajit dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama njoftoi se platforma TikTok do të mbyllej për një vit në Shqipëri.
“Ne TikTok-un do e mbyllim për një vit. Kini parasysh që ne kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6-8 javë nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit do e mbyllim TikTok-un. TikTok nuk do ketë në Republikën e Shqipërisë. Do shohim se si do funksionojnë qeveritë e tjera, si do reagojë vetë TikTok“- deklaroi Rama.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Dine Hoxha” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.