Infermierit të vrarë nga ICE nuk iu kushtuan nderime ushtarake

5

Pretendimi: Kjo video tregon homazhet e kolegëve për infermierin amerikan Alex Pretti të vrarë nga agjentët federalë në Minnesota

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————–

Pas vrasjes së amerikanit Alex Pretti nga oficerët federalë të emigracionit (ICE), një video po qarkullon në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duke pretenduar nderimet ushtarake nga kolegë t në nder të infermierit 37-vjeçar ndërsa trupi i tij po nxirrej nga spitali për herë të fundit.

Video tregon dy persona me maskë që lëvizin një karrocë të mbështjellë me flamurin amerikan në korridorin e spitalit. Njerëz të tjerë të veshur me maska ​​kirurgjikale dhe uniforma, mesa duket punonjës mjekësorë, janë rreshtuar në korridor.

Megjithatë, video e mësipërme është xhiruar mbi 5 vjet para vdekjes së Prettit.

Tregues pamorë si numri i dhomës, përputhen me një foto nga Google e njësisë së kujdesit intensiv në Qendrën Mjekësore Rocky Mountain VA në Denver, Colorado.

Një infermiere që punonte në strukturë dhe kërkoi të mos identifikohej tha për Reuters se e kishte xhiruar videon në 2020 dhe se ajo ishte rishpërndarë dhe riformuluar në internet në mënyra që ajo nuk synonte. “Alex duhet të ishte këtu sot. Zemra ime thyhet për të dhe për të gjithë ata që e donin”, tha ajo.

Infermierët në korridore që mbajnë maska ​​kirurgjikale dhe shënjuesit për distancim social në dysheme gjithashtu sugjerojnë se video është filmuar gjatë pandemisë Covid-19.

Zyra e Sekretarit të Shtypit të Çështjeve të Veteranëve, Pete Kasperowicz, i tha Reuters se video nuk është filmuar në Qendrën Mjekësore të Veteranëve të Minneapolis, ku punonte Pretti, sipas një deklarate nga një sindikatë që e përfaqësonte.

Zëdhënësja e Qendrës Mjekësore të Veteranëve të Minneapolis, Melanie Nelson, tha se Qendra po punon për të planifikuar një ceremoni përkujtimore.

Media vendase kishte raportuar më parë se Qendra Mjekësore e Veteranëve të Minneapolis më parë kishte ndaluar mbajtjen e një përkujtimoreje për Prettin.

Sipas raportimeve në kohën e vrasjes së Prettit, duket e pamundur që agjentët federalë ose stafi mjekësor ta kishin çuar trupin e Prettit në spitalin e veteranëve ku ai punonte.

Associated Press raportoi se Mjeku Ligjor i Qarkut Hennepin u tha prindërve të Prettit se zyra e tij mbajti trupin e djalit të tyre pas vrasjes së tij në 24 janar. Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche shkroi më 25 janar se një hetim federal për vdekjen e Prettit ishte duke vazhduar, që do të thotë se autoritetet ka të ngjarë ta mbajnë trupin e Prettit si pjesë të kësaj pune.

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare deklaroi se mjekët e shpallën Prettin të vdekur në vendin e ngjarjes, pra ai nuk kishte nevojë për trajtim të mëtejshëm mjekësor në spital.