ILDA KURTI & SHEFKIJE ALASANI
Produktet bujqësore që vijnë nga Maqedonia kanë vënë në vështirësi fermerët shqiptarë, në industrinë e vreshtarisë. Çmimet janë më të lira dhe fermerët shqiptarë ndihen të pashpresë ndaj konkurrencës mbarërajonale. Ata deklarojnë se nuk arrijnë të ngrenë krye, sepse nuk po mbështeten nga politikat kombëtare që duhet t’i subvencionojnë por edhe t’u krijojnë lehtësira, siç ndodh me fermerët në Maqedoni ku, sasia e verës së eksportuar zë masën 7.4%, duke bërë kështu që vera të konsiderohet si produkti i tretë më i vlefshëm në eksport, pas duhanit dhe produkteve të furrës.
Në vitin 2006 u nënshkrua marrëveshja CEFTA për tregtimin e lirë të mallrave bujqësore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja u rinovua në vitin 2014 me Protokollin e Dytë Shtesë mes shteteve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Moldavisë. Që prej asaj kohe është vërejtur një rritje e pranisë së produkteve maqedonase në vendin tonë, sidomos e verës, duke shkaktuar pakënaqësi tek vreshtarët shqiptarë. Sipas tyre, konkurrenca është e pandershme, pasi shteti maqedonas u ofron fermerëve të atjeshëm shumë lehtësira dhe mundësira subvencionesh, ndërsa këtu qeveria po i mbyt me taksa.
“Ndërkohë që në Maqedoni, vreshtarët mbështeten me sbuvencion për plehrat, punimin etj., tek ne kjo gjë nuk ndodh. Madje prodhuesit e verës në Maqedoni marrin një subvencion për shishe vere, as kjo nuk ndodh tek ne. Ndërkohë ne paguajmë gjithashtu një pullë mjaft të shtrenjtë të koncesionarit. Për 2500 shishe, 105 Euro janë kosto të pullës, pastaj të mos llogarisim të tjerat deri në nxjerrjen e saj në treg” – u shpreh prodhuesi nga Elbasani, A. F.
Faktoje i drejtoi një kërkesë zyrtare Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku pyetëm konkretisht për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në sektorin e vreshtarisë.
Në përgjigjen e dërguar Ministria e Bujqësisë shprehet:
“Marrëveshja CEFTA zbatohet për të gjitha produktet bujqësore. Lidhur me sektorin e vreshtarisë nuk ka tarifa me vendet nënshkruese.
*Foto ilustruese e përgjigjes së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ndaj Kërkesës për Informacion dërguar nga Faktoje më 21.01.2021
Nga verifikimet e kryera në terren, fermerët hodhën poshtë këtë deklaratë të Ministrisë së Bujqësisë duke thënë se produktet që ata blejnë nuk kanë reflektuar ndonjë rënie çmimi.
“Ulja e çmimeve të inputeve ka mbetur në dorë të importuesve, duke mos kryer kthimin e TVSH tek çmimi final që përfitohet drejtpërdrejt nga fermeri, por lehtësimin financiar e përfiton importuesi, megjithëse plehrat kimike dhe pesticidet shiten në treg me po të njëjtin çmim si më parë”- tha për Faktoje O.A., një vreshtar i ri nga Durrësi.
Në një intervistë për Faktoje, profesori Lush Susaj nga Universiteti Bujqësor i Tiranës pohoi:
“Pavarësisht nga demagogjia dhe nga grumbujt e dosjeve fiktive, vreshtaria shqiptare në vite është lënë pa subvencione të mjaftueshme, pa mbështetjen e duhur financiare, pa teknologjitë e nevojshme bashkëkohore, pa standardet dhe pa asnjë mundësi reale për konkurim rajonal”.
Ai rradhit një sërë arsyesh se përse konkurenca është e pamundur në tregjet e jashtme, duke nisur nga mungesa e subvencionit për njësi prodhimi ose sipërfaqe të mbjellë, shkalla e ulët e mekanizimit dhe rendimentit të punës, çmimi i lartë i naftës, pesticidet dhe plehrat kimike, strukturat varietore kaotike, mungesa e kloneve dhe kultivarëve me pjekje uniforme, si dhe mungesën e specializimit të zonave dhe kultivarëve.
*Pamje ilustruese e analizës SWOT, marrë nga “Studim për Sektorin e Verës” kryer nga Prof. Dr. Engjëll Skreli dhe Prof. Assoc. Dr. Drini Imami, përgatitur nga Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar dhe Instituti i Studimeve Ekonomike dhe Tranferimit të njohurive, faqja 25.
Sipas ekspertit Susaj, në kushtet e Shqipërisë, kostoja reale e prodhimit të rrushit është rreth 25-30 lekë/kg, ndërsa në vendet e tjera shkon deri në 0,07 euro/kg, ose 3 herë më lirë. Të gjendura në këto kushte, kantinat e përpunimit drejtohen kah tregu i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku rrushi blihet me rreth 0.2-0.3 Euro/kg.
*Foto e materialit “Raporti i prodhimit të drufrutorëve”, INSTAT 2019
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, për 2019-n Shqipëria rezulton të ketë një total prej 189, 904 ton rrush të prodhuar.
Për sa i përket raportit eksport/import, për Shqipërinë për çdo litër verë eksport, importojmë 350-500 litra verë; ndërsa Kosova paraqet një bilanc shumë më pozitiv, ku për çdo litër importi, Kosova eksporton 12-16 litra, – tha Susaj.
Eksperti Susaj gjithashtu ngre shqetësimin tjetër:
“Në kushtet e një zhvillimi e prodhimi primitiv, pa standarde, pa bazë ligjore që mbron prodhimin vendas, pa subvencione, pa teknologji bashkëkohore; bujqësia dhe vreshtaria e blegtoria në veçanti, nuk përfitojnë asgjë nga CEFTA, as nga marrëveshjet e tjera ndërkombëtare.”
Nga ana tjetër, shumë prej fermerëve ngrenë shqetësimin se nga rritja e parregulluar e eksporteve të fidanëve, po humbet ndjeshëm varieteti autokton, pasojë kjo që do të ndihet në dekadat e ardhshme.
*Pamje e një vreshti në RMV, marrë nga faqja “Wines of Macedonia”
Për të kuptuar më saktësisht diferencat mes të dy shteteve, Faktoje siguroi informacion zyrtar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, nga i cili mësuam se për vitin 2019 dhe 2020, përqindja e verës në eksportin e përgjithshëm është 7.4%, duke bërë kështu që vera të konsiderohet si produkti i tretë më i vlefshëm në eksport, pas duhanit dhe produkteve të furrës.
Sipas burimeve zyrtare, deri në nëntor 2020, RMV ka eksportuar:
Të pyetur nga Faktoje për skemat e subvencionit që aplikojnë, Agjencia për Përkrahje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Maqedoninë e Veriut u përgjigj:
“Sipas programit me pagesa direkte për masën bazë për prodhuesit e rrushit, subvencioni në vitin 2020 u realizua sipas kritereve të mëposhtme:
Deri në 1 hektar vresht paguhet 40,000.00 denarë (650 euro) për hektar
Nga 1-10 hektarë – 48,000.00 denarë (780 euro) për hektar
Mbi 10 hektarë – shuma për hektar gradualisht zvogëlohet
Për më tepër, prodhuesit e rrushit morën 2 denarë për kilogram rrush të verës së dorëzuar në kapacitetin përpunues të varieteteve: Vranec, Smederevka, Stanushina, Kadarka, Kratoshija, Burgundec dhe Zhilavka.”
Përveç Programit Kombëtar për Zhvillim të Bujqësisë, një pjesë e madhe e parave të mundësuara nga programi IPARD 2 është përdorur për të hapur punishte të reja vere ose për të modernizuar më të vjetrat, prej të cilave 16 kantina janë mbështetur me fondet e IPARD 2.
*Foto ilustruese e logos zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave
“Nga ky program, disa nga fermerët morën edhe mbështetje për investime në vreshta moderne me pajisje të plota për kultivimin e rrushit: sistemi i pikimit, rrjetat e hijëzimit, si dhe pajisjet e makineritë bujqësore për përpunimin e plantacioneve.” – u shprehën autoritetet maqedonase për Faktoje.
*Foto ilustruese e drejtorit të Agjencisë për Ndihmë Financare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të RMV, z. Nikica Baçovski
Drejtori i Agjencisë për Ndihmë Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural në RMV, zoti Nikica Baçovski u shpreh për Faktoje edhe në lidhje me masat e veçanta mbështetëse që kanë krijuar për ngritjen e punishteve familjare të verës apo start-up e fermave, ku do të ofrohet mundësi për të marrë grante deri në 10 mijë euro për blerje të pajisjeve për përpunimin dhe tregtimin e verës, perimeve, mishit dhe produkteve të qumështit:
“Që të marrin varietete të verës me cilësi të lartë, aplikuesit mundet të përdorin 1,000 euro nga 10,000 për ekspertë që do t’i ndihmojnë ata të prodhojnë verëra konkurruese cilësore. Përmes këtij lloji të biznesit familjar, mund të prodhohen mbi 100 mijë litra verë në shishe.”
Nga verifikimet tona në terren, dukej se vreshtarët shqiptarë, megjithëse gjeografikisht gjenden shumë pranë me ata maqedonas, përballen me një realitet shumë më të vështirë. Një nga problemet më thelbësore që na paraqitën fermerët shqiptarë ishte keqadministrimi dhe mosadministrimi i vijave të treta të ujitjes, paçka se Ministria e Bujqësisë ua ka premtuar në mënyrë të përsëritur.
“Nuk i ujit vreshtat, mbaj vetëm tek shpresa e Zotit. Në vitet kur thatësira është e madhe, (si vjet p.sh.), sjell përgjysmim të prodhimit” – na tha një fermer nga Durrësi, ndërkohë që ujitja është një nga elementët kyç për prodhimin bujqësor.
Një tjetër shqetësim që ngriti pranë Faktojes një vreshtar nga Elbasani, ishte fragmentarizimi i ngastrave të tokës bujqësore:
“Është e vërtetë që sipërfaqet me vreshta janë rritur, por duhet të dini që ne jemi shumë të fragmentarizuar duke qenë se vreshtarët kanë sipërfaqe të vogla, kostot i kanë shumë më të mëdha. Kini parasysh që as për karburantin nuk ka pasur subvencion. Duke qenë në këtë situatë, rrushi shitet me një kosto më të lartë se Maqedonia. Një kg rrush shkon në vlerën 55-60 lekë/kg, në Maqedoni e gjen të paktën 15 lekë më lirë, pasi këtë vlerë ia rimburson shteti”.
Sipas tyre, pasojat e pandemisë së Covid-19 do të ndihen për një kohë shumë gjatë, pasi vetëm tregtimi i fidanëve ka humbur rreth 60% krahasuar me prodhimin e vitit të kaluar.
Përtej kufirit, në mënyrë që të amortizohen pasojat e “Covid19”, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut krijoi një Ligj për Mbështetje Financiare, për të zvogëluar pasojat e shkaktuara nga pandemia, ku 6.7 milion euro u dhanë për të mbështetur sektorin e vreshtarisë.
Qeveria shqiptare deri më tani ka aplikuar “2 Paketa Financiare anti-Covid”, të cilat kanë qenë të bazuara vetëm në mbështetjen e individëve dhe e padiferencuar për sektorë industrialë të caktuar.