Identiteti Digjital në Britani nuk kushtëzohet me pagesë për shërbimet

10

Pretendimi: Qeveria britanike vendos identitetin dixhital me pagesë për ata që refuzojnë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————

Një artikull i portalit Patriotik Media botuar më 27 tetor 2025 pretendon se qeveria britanike “e Keir Starmer vendos identitetin dixhital me pagesë për ata që refuzojnë.”

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi planet për të prezantuar një dokument identifikimi dixhital në shtator 2025.

Artikulli citon kryeministrin britanik Keir Starmer si të ketë thënë: “Nuk do të jetë e detyrueshme, por kush nuk dëshiron të përdorë identifikimin dixhital, mund të vazhdojë me dokumente fizike, duke paguar 85 paund nëse e preferon kështu.”

Ky citim përkon me një video të botuar në Facebook nga The Paper. Megjithatë, as në atë postim as në një artikull mbi udhëtimin e Starmer në Brighton nuk pretendohet se ata që refuzojnë ID dixhitale do të duhet të paguajnë tarifën prej 85 paundësh.

Zyra e kryeministrit ndau me Reuters pamje filmike të bashkëveprimit të Starmer me gazetarët. Ato fillonin me Starmer duke kujtuar përvojën e një çifti me të cilin kishte folur më parë, të cilt kur blenë një shtëpi kishin paguar që identiteti i tyre të verifikohej për një aplikim për hipotekë.

“Këshilltarët e tyre ia kishin nënkontraktuar kontrollet dixhitale një kompanie private, kështu që ajo dhe burri i saj duhej të paguanin 85 paund secili për të vërtetuar se kush ishin,” tha Starmer në videon 13-minutëshe. “Pra, u kushtoi atyre 170 paund për të kontrolluar identitetin e tyre. Identiteti dixhital në telefonin e tyre do ta kishte zhdukur të gjithë këtë mundim.”

Kur njoftoi politikën e identifikimit dixhital, Starmer tha se do të ishte e detyrueshme vetëm për ata që duhet të vërtetonin të drejtën e tyre për të punuar në Britani. 

Pra, Starmer nuk tha se njerëzit pa kartë identiteti dixhital do të duhej të paguanin një tarifë prej 85 paundësh si pasojë e refuzimit të identitetit dixhital. 

Ai po i referohej një rasti që kishte përmendur më parë, ku dy persona i paguanin secili këtë shumë një kompanie private sepse duhej të provonin se kush ishin për të blerë një shtëpi. Ai thotë se karta e identitetit dixhital të planifikuar do t’i kishte kursyer ata këtë shpenzim, jo se të gjithë duhet ta paguajnë atë.