.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI tepruar entuziasmi për vitaminën D si mbrojtëse ndaj kancerit

I tepruar entuziasmi për vitaminën D si mbrojtëse ndaj kancerit

Pretendimi: Shkencëtarët kanë zbuluar vitaminën që ju mbron nga kanceri

Verdikti: Mungon konteksti


“Shkencëtarët bëjnë zbulimin e madh: Kjo vitaminë ju mbron nga kanceri!” jep lajmin e mirë artikulli i portalit shipinfo.net.

Në brendinë e tij, artikulli i referohet një studimi të kryer nga studiuesit në Institutin Francis Crick, Institutin Kombëtar të Kancerit (NCI) të Institutit Kombëtar të Shëndetit të ShBA (NIH) dhe Universitetin Aalborg në Danimarkë.

Megjithatë, siç ndodh shpesh në raportimet mbi studime shkencore, titulli i artikullit i fryn rezultatet e kësaj pune kërkimore duke kaluar në dezinformim.

Në të vërtetë, studimi i mësipërm gjeti se vitamina D nxit tek minjtë rritjen e Bacteroides fragilis, një lloj bakteri zorrësh, i cili përmirëson imunitetin ndaj kancerit. Studiuesit ende nuk janë të sigurt se si ndodh kjo.

Studimet të mëparshme kanë propozuar një lidhje midis mungesës së vitaminës D dhe rrezikut të kancerit tek njerëzit, megjithëse provat nuk kanë qenë përfundimtare.

Për të hetuar këtë, studiuesit analizuan të dhëna nga 1.5 milionë njerëz në Danimarkë. Kjo analizë tregoi një lidhje midis niveleve të ulëta të vitaminës D dhe një rreziku më të lartë të kancerit. Një analizë e veçantë e një popullate të pacientëve me kancer sugjeroi gjithashtu se njerëzit me nivele më të larta të vitaminës D kishin më shumë gjasa t’i përgjigjeshin mirë trajtimeve të kancerit.

Edhe pse Bacteroides fragilis gjendet gjithashtu në mikrobiomën e njerëzve, nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar nëse vitamina D ndihmon në sigurimin e njëfarë rezistence imune ndaj kancerit përmes të njëjtit mekanizëm.

Caetano Reis e Sousa, kreu i Laboratorit të Imunobiologjisë në Crick, dhe një prej autorëve të studimit tha: “Kjo një ditë mund të jetë e rëndësishme për trajtimin e kancerit te njerëzit, por ne nuk e dimë se si dhe pse vitamina D e ka këtë efekt nëpërmjet mikrobiomës. Duhet më shumë punë përpara se të mund të themi përfundimisht se korrigjimi i mungesës së vitaminës D ka avantazhe në parandalimin ose trajtimin e kancerit.”

Sipas organizatës Cancer Research UK, “nuk ka mjaftueshëm prova bindëse që lidhin nivelet e ulëta të vitaminës D me kancerin. Dhe nuk ka prova që mbështesin marrjen e suplementeve të vitaminës D për të zvogëluar rrezikun e kancerit.”

Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit (NCI) të SHBA, studimet vëzghuese kanë gjetur se nivele të larta të vitaminës D lidhen me uljen e rrezikut të kancerit kolorektal dhe të fshikëzës. Megjithatë, këto studime nuk kanë gjetur ndonjë lidhje mes niveleve të vitaminës D dhe kancerit të gjirit dhe muhskërive, ndërsa nivele të larta të vitaminës D janë lidhur në mënyrë tentative me rritjen e rrezikut të kancerit të prostatës dhe të pankreasit.

Ndërkaq, shumica e eksperimenteve me prova të kontrolluara të rastësishme kanë zbuluar se suplementet e vitaminës D, me ose pa kalcium, nuk ulin rrezikun e zhvillimit të kancerit në përgjithësi apo të kancereve specifike.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img