Pretendimi: Ish-deputetin e ndjerë të PD Gerti Bogdani e kanë helmuar dhe autori i vrasjes së tij është zbuluar

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Muaj pas vdekjes së papritur të ish-deputetit Gerti Bogdani në shtator 2024, një video e botuar në Youtube nga kanali “Fakte Interesante” pretendon se Bogdani ishte helmuar dhe autori është zbuluar.

Në brendësi të videos zbulohet shumë lehtë se kemi të bëjmë me një lajm të rremë, që ka për synim të tërheqë interesin e përdoruesve dhe rrisë klikimet me qëllim përfitime të mëtejshme marketingu nga kanali në Youtube.

Faktoje dëgjoi videon 8-minutëshe në tërësi. Ajo nuk zbulon asnjë emër vrasësi, apo ndonjë provë që Bogdani është helmuar. Zëri në video mban një fjalim të gjatë. Me pretendime të dyshimta dhe retorikë në skajet e patetizmi, ai del në përfundimin se Bogdani u zhgënjye së tepërmi nga zhvlerësimi që politika e shoqëria shqiptare u bën njerëzve të drejtë e punëtorë. Duket se kur video flet për “helmimin” dhe “autorin e vrasjes”, po flet në mënyrë figurative. 

Gerti Bogdani vdiq nga një arrest kardiak.

I njejti kanal Youtube ka botuar video të ngjashme, me tituj sensacionalistë, që tentonin të shfrytëzonin popullaritetin e temave të përfolura duke pretenduar në mënyrë të rreme se Parashqevi Simaku u kthye në Shqipëri me Behgjet Pacollin dhe se Parashqevi Simaku ishte takuar me të birin pas 8 vitesh.

Në fakt, nga një vështrim i përgjithshëm i kanalit, duket qartë se titujt të pabesueshëm sensacionalistë rreth temave me interes, shpesh të shoqëruar me foto të montuara, është modus operandi i tij për të tërhequr sa më shumë shikime.