Në rrjetet sociale po qarkullon një imazh që pretendon se gazeta amerikane Washington Post ka publikuar në faqe të parë një artikull që kërkon rrëzimin e presidentit turk Erdogan përpara se ky të bëhet edhe më i fuqishëm. Verifikimi i “Faktoje” tregon se ky ështe një imazh i modifikuar.

—————————————

Një postim në rrjetet sociale shqipfolëse tregon çka duket si faqja e parë e gazetës amerikane Washington Post, me titull të parë, në gjuhën shqipe, “Të rrëzojmë Erdoganin para se Turkia të jetë një superfuqi.” Imazhi shoqërohet me përshkrimin e titullit kryesor të asaj që pretendohet se është kopertina e gazetës prestigjioze amerikane. 

Megjithëse një titull në shqip në faqen e parë të një gazete amerikane do të bënte lexuesin skeptik ta shpërfillte menjëherë këtë postim si të rremë, siç vihet re nga komentet e përdoruesve, ky nuk është reagimi i parë tek kushdo.

Kështu, “Faktoje” vendosi të përgënjeshtrojë këtë postim.

Duke qenë se cilësia e imazhit është shumë e ulët për të dalluar datën në cepin e djathtë të faqes, “Faktoje” bëri një kërkim në internet me fjalët që mund të dallohen, specifikisht titulli i artikullit në të djathtë. 

Nga ky kërkim rezultoi se imazhi është marrë nga faqja e parë e gazetës Washington Post në 19 dhjetor 2019. Imazhi origjinal është modifikuar duke zëvendësuar artikullin e parë, që në origjinal ishte lajmi i vënies nën akuzë të presidentit të atëhershëm Trump nga Senati, me tekstin në shqip. Fotot e Nancy Pelosi dhe Trump janë zëvendësuar me foto të Erdogan për të krijuar këtë imazh të rremë.

Imazhi i modifikuar (majtas) dhe ai origjinal (djathtas)