I rremë profili hebre i atentatorit të plazhit Bondi në Australi

18

Pretendimi: Një nga autorët e sulmit terrorist të 14 dhjetorit 2025 në Australi, ishte një hebre i quajtur David Cohen

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————-

Më 14 dhjetor 2025, të paktën 16 persona humbën jetën dhe 38 të tjerë u plagosën pasi dy persona të armatosur qëlluan me armë në një aktivitet që shënonte ditën e parë të festës hebraike Hanukkah në Bondi Beach, Australi.

Megjithëse kanë kaluar fare pak ditë nga sulmi terrorist, në rrjete sociale tragjedia ka nisur të frymëzojë keqinformim të shumëllojshëm.

Ndër të tjera, në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se njëri nga autorët është një hebre i quajtur David Cohen. Si provë për këtë sillet pamja e një profili në Facebook me emrin David Cohen. 

Ky pretendim përdoret për të insinuuar se pas sulmit terrorist qëndron Izraeli apo hebrenjtë. 

Megjithatë, pamja e profilit të David Cohen qartazi është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Kjo vërrehet në defektet logjike karakteristike të përmbajtjeve të prodhuara nga AI. 

Ikona e mesazhit shkruan “Emsage” në vend të “Message.” Shkrimi hebraik në pjesën e sipërme djathtas nuk ka asnjë kuptim dhe nuk përkthehet në asgjë. Një nga seksionet e profilit shkruan “Eeopis” (ndoshta në vend të “Friends”), një fjalë pa kuptim që nuk përkthehet. Programet AI shpesh hasin vështirësi në gjenerimin e tekstit brenda imazheve.

Profili “David Cohen” nuk përputhet me paraqitjen ose formatimin e llogarive të vërteta në Facebook. Nën seksionin “About”, shkruan “Shto një mik të ri”, një opsion që nuk gjendet në llogaritë e vërteta të Facebook.

Më tej, disa nga miqtë e supozuar të listuar në profil kanë emra absurdë, të tillë si “Jewish (Hebre) Bronnen” dhe “Jewish (Hebre) Maridlend”.

Policia ka deklaruar se një nga sulmuesit ishte 50-vjeçari Sajid Akram, shtetas indian, që kishte jetuar në Australi për dekada. Ai u vra në një shkëmbim zjarri me oficerët. Personi tjetër ishte djali i tij 24-vjeçar, Naveed Akram, i cili ka pasaportë australiane. Ai u qëllua gjithashtu dhe mbahet në spital nën mbikëqyrjen e policisë.

Naveed u akuzua për 15 vrasje pasi u zgjua nga koma më 17 dhjetor, si dhe për kryerjen e një “akti terrorist” dhe vendosjen e një bombe me qëllim dëmtimin.

Autoritetet australiane kanë thënë se Naveed Akram është një shtetas i lindur në Australi. Nuk ka asnjë provë se ai është izraelit apo hebre.