Lajmi se një sulm rus në Lviv ka vrarë dhe plagosur ushtarë të NATO-s mbetet i pakonfirmuar dhe i paprovuar. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se Lvivi është bombarduar për herë të fundit në Mars 2023, ndërsa e vetmja ‘provë’ për këtë pretendim është se një avion i NATO ka udhëtuar nga një qytet polak drejt Berlinit.
————————————
Një lajm i botuar nga faqja greke proneës.gr, i cili po qarkullon edhe në hapësirat online shqipfolëse, pretendon se “ushtarë të vdekur dhe të plagosur të NATO-s nga një sulm rus në një qendër komandimi në Lviv, Ukraina Perëndimore u transportuan në Gjermani.” Prezenca e trupave të NATO-s në brendësi të territorit ukrainas, është pretenduar që prej nisjes së agresionit nga propaganda ruse si një argumentim për mbështetjen e luftës nga publiku i brendshëm.
Lajmi pretendon se të dielën, në 28 maj, u bombardua një qendër komandimi në Lviv. Në të vërtetë, bombardimet ruse të 28 majit nuk goditën Lvivin, por Kievin. Dy qytetet janë mbi 500 km larg njëri-tjetrit.
Lajmi nuk jep asnë provë apo citon ndonjë burim për pretendimin se trupa të NATO-s janë vrarë dhe plagosur gjatë një bombardimi.
Artikulli pretendon gjithashtu se “nga Lviv të plagosurit u transferuan në aeroportin polak Rzeszow dhe prej andej në Gjermani.” As për këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë apo burim i qenësishëm.
Në brendinë e tij, artikulli përmban disa postime në Twitter, të cilët prezantojnë si ‘provë’ për këtë pretendim trajektoren e një avioni nga flota e NATO (A330-243MRTT), i cili duket se ka udhëtuar nga qyteti polak i Rzeszow drejt Berlinit.
Trajektorja e avionit A330-243MRTT
Flota e avionënve MRTT mundëson “furnizim me karburant në ajër, transport ajror dhe evakuim mjekësor ajror.” Sekretari i Përgjithshëm i NATO Jens Stoltenberg tha se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, këta avionë “kanë ndihmuar në mbrojtjen e krahut lindor të NATO.”
Megjithatë, fluturimi i avionit A330-243MRTT nga qyteti polak Rzeszow drejt Berlinit nuk provon në ndonjë mënyrë se ai ka qenë duke transportuar trupa të ushtarëve të NATO të vrarë dhe plagosur në Ukrainë. Në fakt, siç kanë vërejtur dhe komentuesit e mediave sociale, duket se udhëtimi Rzeszow-Berlin është rruga e zakonshme që bën ky avion.
Historiku i udhëtimeve të avionit MMF51 tregon se ai udhëton rregullisht nga Rzeszow në Berlin dhe anasjelltas
Sa i përket burimit origjinal të këtij lajmi të rremë, faqja greke pronews.gr ka botuar edhe më parë lajme të pabaza për luftën në Ukrainë. Në Mars 2023, ajo botoi lajmin e rremë se një raketë hipersonike ruse kishte goditur një qendër komandimi të NATO në Ukrainë, e cila gjendej 130 m nëntokë. Sigurisht, edhe në këtë rast flitej për qindra ushtarakë të vrarë në brendësi të qendrës, një pretendim i pabazë.