Pretendimi: Një dokument sekret i NASA tregon se më 12 gusht 2026, bota do ta humbasë gravitetin për 7 sekonda.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një ‘teori’ se Toka do të “humbasë gravitetin” për shtatë sekonda më 12 gusht 2026.

Postimi i mësipërm pretendon gjithashtu se një dokument sekret i NASA i quajtur “Project Anchor” u publikua në nëntor 2024 duke zbuluar se agjencia kishte dijeni dhe kishte organizuar përgatitje të posaçme për ngjarjen kozmike.
Megjithatë, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë. Dokumenti sekret në fjalë nuk riprodhohet dhe nuk ofrohet ndonjë adresë ku lexuesja mund ta shohë e ta lexojë atë me sytë e saj.
Ndërkaq, në faqen e saj zyrtare, NASA thotë se më 12 gusht 2026 do të ndodhë një eklips total diellor, jo ndonjë ‘humbje graviteti’.

Eklipset diellore në faqen zyrtare të NASA
Një zëdhënës i NASA tha për kolegët e Snopes në janar 2026 se thashethemet nuk ishin të vërteta:
“Toka nuk do ta humbasë gravitetin më 12 gusht 2026. Graviteti i Tokës, ose forca totale gravitacionale, përcaktohet nga masa e saj. E vetmja mënyrë që Toka të humbasë gravitetin do të ishte që sistemi i Tokës, masa e kombinuar e bërthamës, mantelit, kores, oqeanit, ujit tokësor dhe atmosferës së saj, të humbasë masë. Një eklips total diellor nuk ka ndonjë ndikim të pazakontë në gravitetin e Tokës. Tërheqja gravitacionale e Diellit dhe Hënës në Tokë, e cila nuk ndikon në gravitetin total të Tokës, por ndikon në forcat baticore, është kuptuar mirë dhe është e parashikueshme dekada para.”






