Pretendimi: Bleona Mata, 5-vjeçarja shqiptarja e zhdukur në 2010, është gjendur pas 20 vjetësh. Atë e kishte rrëmbyer i ati.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————-
Në janar 2026, në rrjetet sociale shqipfolëse vijon të përdoret emri i 5-vjeçares shqiptare të zhdukur në 2010, Bleona Mata, për të mbledhur klikime dhe angazhim në mënyrë jo etike.
Një postim në Facebook pretendon se Bleona është gjendur “pas 20 vitesh” dhe atë e kishte rrëmbyer i ati, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë. Postimi ilustrohet me imazhe të rreme të gjeneruara me programe të inteligjencës artificiale (AI) që tregojnë dy burra të ndryshëm të shoqëruar nga oficerë policie, si dhe me një imazh të prodhuar nga autoritetet në 2019 që tregon se si do të dukej Bleona Mata 9 vite pas zhdukjes së saj, mbi të cilin shkruhet “E GJETëM.”

Megjithatë, ky lajm nuk është i vërtetë.
Artikulli i referuar në komente nuk përmban ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur këto pretendime. Ai është shkruar në shqipe të çalë dhe është i mbushur me pasaktësi faktike dhe logjike.
Bleona Mata nuk ka si të jetë gjetur “pas 20 vitesh” sepse kanë kaluar vetëm 16 vite nga zhdukja e saj në 22 maj 2010.
Nuk ka asnjë raportim të besueshëm se Bleona Mata është gjendur apo se atë e kishte rrëmbyer i ati. Ajo vijon të listohet si person i humbur nga faqja zyrtare e Interpolit.

Ka gjasa ky artikull, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Duhet nënvizuar se ky lajm tejkalon një kufi moral kur zgjedh të përdorë si karrem për klikime imazhin e një fëmije që është zhdukur mbi 10 vite më parë. Mediat raportojnë se e ëma e Bleona Matës vazhdon ende ta kërkojë.






