I rremë ky pranim i Netanyahut për sulmin ndaj Kullave Binjake

5

Pretendimi: Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi aksidentalisht se ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 përpara se intervista të ndërpritej

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një klip i vjetër i kryeministrit të tanishëm izraelit Benjamin Netanyahu, shoqëruar me pretendimin se, në të, Netanyahu pranoi aksidentalisht se ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, përpara se intervista të ndërpritej.

Në klipin e mësipërm, megjithatë, Netanyahu nuk pranon se ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ai dëgjohet të thotë: “thashë se Perëndimi vërtet nuk e kupton Islamin militant. Kështu që shkrova një libër në vitin 1995 dhe thashë se, nëse Perëndimi nuk zgjohet ndaj natyrës vetëvrasëse të Islamit militant, gjëja e ardhshme që do të shihni është që Islami militant do rrëzojë Qendrën Botërore të Tregtisë.

Qendra Botërore e Tregtisë në New York, qw pwrfshinte dhe Kullat Binjake, u shkatërrua nga një sulm terrorist më 11 shtator 2001.

Klipi i shkurtër ka qarkulluar në rrjete sociale në fund të marsit 2026, nganjëherë shoqëruar dhe me pretendimin se “ndoshta nuk do ta shihni më kurrë” sepse ai është “një nga videot më të ndaluara në botë.”

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi është marrë nga një intervistë e Netanyahut, në atë kohë lider i opozitës në Izrael, me gazetarin amerikan Glenn Beck, transmetuar më 23 nëntor 2006 në median amerikane CNN.

Zbardhja e intervistës, e disponueshme në faqen zyrtare të CNN, jep kontekstin e klipit, të përkthyer nga anglishtja më poshtë.

BECK: Isha në Memorialin e Holokaustit në Uashington, D.C., dhe një nga dhomat më të fuqishme për mua ishte dhoma ku kishin të gjitha gazetat në mur dhe të gjitha titujt kryesorë. Dhe për mua, ajo që më bëri përshtypje ishte se Hitleri ishte shumë i qartë, shumë i qartë. Në thelb, ai thoshte: “Merrni hebrenjtë para se t’i vras.” Dhe të gjithë e mohonin.

Tani, më lejoni të luaj rolin e avokatit të djallit me ju. Kemi dëgjuar për të çmendur, veçanërisht në Iran, për një kohë shumë të gjatë. Çfarë ju bën të thoni se duhet ta pranojmë këtë të çmendur sipas fjalës së tij? Pse ky djalë është ndryshe nga ajo që kemi parë me fanatikët fetarë që janë vërtet të interesuar vetëm për pushtetin dhe jo për Apokalipsin?

NETANYAHU: Epo, po e merrja këtë pyetje në vitet 1990, dhe thashë se Perëndimi vërtet nuk e kupton Islamin militant. Kështu që shkrova një libër në vitin 1995 dhe thashë se, nëse Perëndimi nuk zgjohet ndaj natyrës vetëvrasëse të Islamit militant, gjëja e ardhshme që do të shihni është që Islami militant do rrëzojë Qendrën Botërore të Tregtisë.

Ideologjitë e tjera të çmendura nuk e bëjnë këtë, por myslimanët militantë po e bëjnë, dhe ata po konkurrojnë. Ata kanë dy lloje: lloji sunit, i udhëhequr nga Al Kaeda, i cili ka shkatërruar Qendrën Botërore të Tregtisë; lloji shiit, i udhëhequr nga Irani, i cili dëshiron ta tejkalojë këtë duke pasur armë bërthamore me të cilat mund të dominojnë botën, në fund të fundit të rrëzojë Amerikën.

Ne jemi thjesht objektivi i parë. Ata na urrejnë sepse ne jemi ju, dhe ne jemi stacioni i parë, në Lindjen e Mesme. Ata e urrejnë Izraelin sepse ai përfaqëson Amerikën. Ata nuk e urrejnë Amerikën për shkak të Izraelit, sepse ne jemi pjesë përbërëse e të njëjtit qytetërim të lirë, sipas mendjes së tyre, hedonist të urryer.

Ndryshe nga ç’pretendohet në rrjete sociale, intervista nga është marrë klipi mund të gjendet lehtësisht në Youtube që prej vitit 2008. Gjithashtu, klipi është marrë nga pjesa e parë e intervistës, e cila nuk ndërpritet, siç pretendon postimi.

Në 2006, kur u dha intervista, dhe në 1995, kur shkroi librin e përmendur ne klip, Netanyahu nuk ishte kryeministër i Izraelit, por lider i opozitës në parlamentin izraelit.

Në librin në fjalë, titulluar “Luftimi i terrorizmit: si demokracitë mund t’i mposhtin terroristët vendas dhe ndërkombëtarë”, “Qendra Botërore e Tregtisë” përmendet 11 herë. Në 10 nga 11 përmendjet e saj, autori i referohet sulmit të mëparshëm me shpërthim ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993. Përtej këtyre, në faqen 125, duke folur për grupet terroriste të kontrolluara nga Irani, Netanyahu parashikon se “në skenarin më të keq, pasojat mund të mos jenë një bombë në makinë, por një bombë bërthamore në bodrumin e Qendrës Botërore të Tregtisë.”

Kujtojmë se sulmet terroriste që shkatërruan Qendrën Botërore të Tregtisë më 11 shtator 2001 u kryen me dy avionë komercialë që u morën peng nga sulmuesit, jo me një bombë bërthamore siç ‘parashkoi’ Netanyahu në 1995.

Pretendimi se Benjamin Netanyahu pranoi aksidentalisht se ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 mbetet i paprovuar.