I rremë ky alarm për sulm nuklear në ShBA

13

Pretendimi: Kjo video dëshmon se Sistemi i Transmetimit të Emergjencave (EBS) amerikan ka shkëputur sinjalet në disa pjesë të ShBA pas një sulmi bërthamor

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, jep alarmin se Shtetet e Bashkuara i janë nënshtruar një sulmi bërthamor dhe shoqërohet me pretendimin se Sistemi i Transmetimit të Emergjencave (EBS) amerikan “ka shkëputur sinjalet në ShBA” në disa zona.

EBS i referohet Sistemit të Transmetimit të Emergjencave, i cili u prezantua në vitin 1963 dhe u zëvendësua nga Sistemi i Alarmit të Emergjencave (EAS) në vitin 1997.

Sistemi i Alarmit të Emergjencave (EAS) është një “sistem kombëtar paralajmërimi publik që kërkon që transmetuesit radiofonikë dhe televizivë, televizioni kabllor, sistemet kabllore pa tel, operatorët satelitorë dhe të telefonisë me tel t’i ofrojnë presidentit mundësinë për t’iu drejtuar popullit amerikan brenda 10 minutave gjatë një emergjence kombëtare.”

Video tregon një ekran me simbolin e Vulës së Madhe së ShBA dhe tekst që thotë “Sistemi i Alarmit të Emergjencës”, i ndjekur nga pretendimet se “Shtetet e Bashkuara i janë nënshtruar një sulmi bërthamor.” Një zë robotik në video thotë se ka patur “raketa bërthamore të drejtuara drejt Shteteve të Bashkuara kontinentale” dhe se “katër nga 12 raketat e lëshuara janë kapur.”

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video që shfaqet në ekran është postuar fillimisht në Youtube gati 4 vite më parë, në mars 2022, me titull” “Sulmi bërthamor EAS SHBA në kohë reale.”

Megjithatë, përshkrimi i videos shpjegon se është “një skenar realist i simuluar për një sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara” dhe thotë: “Ju lutem vini re se ky është një skenar imagjinar dhe çdo ngjashmëri me ngjarje ose situata të botës reale është rastësore.”

Nuk ka njoftime të ngjashme në faqet e internetit ose kanalet e mediave sociale të organizatave përgjegjëse për funksionimin e EAS: Agjencia Federale e MenaxhimitEmergjencave (FEMA), Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) dhe Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NCAA).

FEMA tha për Reuters se “për të konfirmuar vlefshmërinë e një paralajmërimi, publiku duhet të kontrollojë llogaritë e radios, mediave sociale federale dhe shtetërore, ose televizionet/faqet e internetit të mediave kombëtare. Çdo mesazh i tillë do të ishte i disponueshëm në formate të shumta njëkohësisht.”

Sigurisht, nëse video do të ishte e vërtetë, ShBA do të kishin përjetuar tashmë një sulm bërthamor. Nuk ka patur ndonjë raportim për këtë.