Pretendimi: Ish-drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, emërohet drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Verdikti: E pavërtetë
Të martën, më 23 shtator, në portale të ndryshme, përfshi këtu edhe faqe të televizioneve kombëtare, qarkulloi lajmi për lëvizje në drejtimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
“Spartak Zekja është larguar nga posti i Drejtorit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Mësohet se në vend të tij pritet të emërohet Artur Papajani, një emër i njohur nga administrata tatimore në të kaluarën. Papajani ka ushtruar detyrën e drejtorit të Tatimeve gjatë periudhës së qeverisjes së Partisë Demokratike,” – shkruhej në brendësi të lajmit.


I njëjti tekst u shpërnda në dhjetra portale të ndryshme, duke krijuar një perceptim të gjerë se emërimi ishte real. Por fakti është ndryshe: Artur Papajani nuk është emëruar drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
“Lajmi është i pavërtetë,” – tha për Faktoje.al Artur Papajani. Më pas ai reagoi edhe në rrjetin social LinkedIn, duke sqaruar me humor:
“Më njoftojnë disa miq, por edhe portale, që qenkam emëruar drejtor! Në një institucion që unë nuk i di as emrin tamam. Për të qeshur se s’kemi pse qajmë! Por, shyqyr dhe falënderoj zotin që mendjen, jo vetëm na e ka lënë në vend, por edhe na e ka thelluar gjykimin.”
Pra, lajmi që u shpërnda gjerësisht është fake news, duke treguar se shpërndarja e informacionit në media dhe rrjete sociale mund të bëjë që pretendime të pavërteta të marrin dukjen e një lajmi të vërtetë.
Shënim:
Data 24 shtator 2025 website Shqiptarja.com dhe e ka korrigjuar pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.