I rremë arrestimi i Ramush Haradinajt gjatë vizitës në ShBA

6

Pretendimi: Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është arrestuar në ShBA në shkurt 2026

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————-

Në fillim të shkurtit 2026, ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj nisi një vizitë zyrtare në ShBA.

Kjo vizitë u pasua me një lajm që qarkulloi në rrjete sociale dhe portale shqipfolëse se Haradinaj ishte arrestuar në Capitol Hill nga FBI. Ky lajm shoqërohej edhe me një imazh që duket se tregon Haradinaj të shoqëruar nga dy agjentë të FBI.

Sipas lajmit, Haradinaj u arrestua menjëherë pas pjesëmarrjes së tij në ceremoninë tradicionale të Lutjes së Mëngjesit dhe se zyra e tij ka lëshuar një deklaratë që e quan arrestimin të papranueshëm.

Asgjë nga këto nuk është e vërtetë, përfshi imazhin e mësipërm, që me gjasa është krijuar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Lajmi i botuar më 2 shkurt pretendon se Haradinaj u arrestua pas Lutjes së Mëngjesit, e cila do të mbahet në Washington Hilton në Washington DC të enjten më 5 shkurt 2026. Arrestimi lajmërohet para se të ndodhë.

Që Ramush Haradinaj nuk është arrestuar në 2 shkurt dëshmohet thjesht me prezencën e tij në një numër aktivitetesh të planifikuara gjatë vizitës së tij në ShBA, pamje nga të cilat janë ndarë në rrjetet e tij sociale.

.

Haradinaj shfaqet edhe në fotot nga Forumi Ndërparlamentar i Sigurisë që u mbajt në Kongresin amerikan më 4 shkurt, ku ishte i pranishëm, ndër të tjerë, edhe Kryetari i Kuvendit shqiptar Niko Peleshi.

Ndërkaq, nuk ka asnjë njoftim për arrestin e Ramush Haradinaj në faqen e AAK, Ambasadës amerikane në Kosovë apo Departamentin amerikan të Shtetit. Ky informacion është verifikuar si i rremë edhe nga kolegët tanë të Kallxo,com në Kosovë.