Pretendimi: Marinsat amerikanë kanë arrestuan Susan Monarez, drejtoreshën e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC)
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————-
Në hapësirat konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se Susan Monarez, ish-drejtoresha e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) është arrestuar për tradhëti.

Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë.
Nuk ka asnjë raportim zyrtar apo në media se një arrestim i tillë ka ndodhur.
Megjithatë, në fund të gushtit 2025, Monarez u shkarkua nga pozicioni i saj si drejtoreshë e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) vetëm një muaj pasi ishte emëruar.
Monarez tha se po i rezistonte shkarkimit nga zyrtari më i lartë i shëndetësisë në vend, Robert F. Kennedy Jr., për arsye politike pas rreth një muaji në detyrë.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, i cili mbikëqyr CDC dhe drejtohet nga Kennedy, postoi në Twitter se “Monarez nuk është më drejtoreshë” e agjencisë. “E falënderojmë për shërbimin e saj të përkushtuar ndaj popullit amerikan,” vazhdoi postimi.
Pas këtij njoftimi, të paktën katër zyrtarë të lartë të CDC dhanë dorëheqjen duke shprehur shqetësim për drejtimin që agjencia po merr.
Monarez, e cila raportohet se u përplas me Kennedy për politikat e vaksinimit, ka kundërshtuar ligjshmërinë e shkarkimit të saj. Avokatët e saj thanë se ajo u shënjestrua pasi “refuzoi të miratonte direktiva joshkencore dhe të pamatura dhe të shkarkonte ekspertë të përkushtuar shëndetësorë”.
Po atë ditë, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi vaksinat e përditësuara kundër COVID-19 për sezonin 2025-2026, por vetëm për njerëz të caktuar bazuar në moshë ose gjendje shëndetësore, në kundërshtim me këshillat e grupeve të tjera të mëdha mjekësore.
Në mars 2025, presidenti amerikan Trump zgjodhi Monarez si kandidaten e tij për të drejtuar CDC. Senati konfirmoi emërimin e saj në fund të korrikut.
Në një opinion të botuar në Wall Street Journal, Monarez tha se ishte udhëzuar të para-miratonte rekomandimet për vaksinat dhe të shkarkonte zyrtarët e CDC, duke e përshkruar shkarkimin e saj si pjesë të një shtytjeje më të gjerë për të dobësuar standardet e vaksinimit në ShBA.
Në një seancë dëgjimore në Senat në 4 shtator, Kennedy mohoi t’i kishte thënë Monarez se duhej të miratonte paraprakisht vendimet, por pranoi se ai e urdhëroi të shkarkonte zyrtarët, gjë që ajo refuzoi ta bënte.
“Pretendimet e Sekretarit Kennedy janë të rreme dhe nganjëherë, qartësisht qesharake. Monarez i qëndron besnike asaj që tha në artikullin e saj në Wall Street Journal,” thanë avokatët e saj në një deklaratë, duke shtuar se ajo ishte e gatshme ta përsëriste atë nën betim.