Pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik, disa media online në vend raportuan rënien me 200 vende të Universitetit të Tiranës në renditjen e një prej organizmave më serioze. Rektori Artan Hoxha e përgënjeshtroi lajmin me argumentin se lista e publikuar e përfshinte për herë të parë UT, në rankimin për Europën Jugore dhe rënia me 200 vende nuk ka kuptim. Faktoje verifikoi këto pretendime dhe pyeti Migen Qiraxhi nga ”Qëndresa Qytetare” dhe Shezai Rokajn, ish rektor i UT, të cilët japin argumente të ndryshme. Megjithatë Rokaj nuk përjashton se përhapja e lajmit të pasaktë mund të jetë për qëllime konkurrence.
Universiteti publik i Tiranës renditej në vendin e 677 (në listë shfaqet 682, pasi renditja në krye të materialit excel nis nga numri 5), publikuar nga “QS World University Rankings” për Europën Jugore.
Screenshot nga rankimi
“Universiteti i Tiranës kap fundin, bie me 200 vende në renditje”-raportonte një media.
“UT drejt greminës, bie me 200 vende në klasifikimin e …..shkruhej në titullin e një tjetër media.
Në lidhje me këto pretendime të ngritura në media, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha deklaroi më 2 tetor :
“Nuk është e vërtetë që Universiteti i Tiranës ka rënë 200 vende. Kjo sepse universitetet e Shqipërisë futen për herë të parë në këtë rankim. Kur futesh për herë të parë nuk ka as më lartë dhe as më poshtë”, u shpreh rektori Hoxha.
Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” e kundërshtoi këtë argument të rektorit Hoxha:
“Ne kemi të bëjmë me universitetin e Tiranës që ka 3 vjet në ‘QS World University Ranking’. Në 3 vjet në ‘QS World University Ranking’ ajo është poziconuar e fundit. Mendoj se është e padrejtë që të konsiderohet si rankim i ri, apo rankime të ndryshme, kur bëhet fjalë për të njëjtën metodologji dhe ne nuk mundet që sa herë të shtohet dhe të ikë një universitet nga rankimi të themi që kemi të bëjmë me një rankim të ri.
Nga 2020 kemi humbur 50 vende, sepse u shtuan universitete më shumë në 2021. U shtuan universitete më shumë në 2022, humbëm po prapë vende, Janë shtuar po prapë vende të rankimi i ri, humbëm po prapë 156 vende. Për shkak të kontekstit global ku duhet të nxirrej universitetet ruse që dilnin në top listë, tani ata i kanë ndryshuar emrin vazos. Unë mendoj që kjo është e qartë dhe kemi të bëjmë me njëjtët universitete që kanë rankuar dhe me të njëjtën karakteristë në të treja vitet që Universiteti i Tiranës ka qenë në këtë rankim.“-tha Qiraxhi për Faktoje.
Faktoje bëri një verifikim në faqen zyrtare “QS World University Rankings”?. Referuar informacioneve të publikuara më 20 shtator 2023 theksohet se Shqipëria përfshihet për herë të parë në këtë renditje.
“QS përfshin 106 universitete evropiane të sapolistuara, të cilat nuk janë renditur më parë. Këto vende janë: Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi dhe Shqipëria”-sqaron “QS” në faqen e saj zyrtare.
Screenshot nga faqja e ‘QS World University Rankings’
Gjithashtu, ne bëmë një kërkim në faqen ‘QS World University Rankings’ nëse ka qenë i përfshirë më herët Universiteti i Tiranës në këtë lloj rankimi. Nga kontrolli i bërë për vitet 2020, 2021, 2022, nuk rezulton që UT të jetë përfshirë në renditje.
Rankimi, të cilit i referohen mediat duke bërë krahasimin, në fakt është ai që përfshinte “Europën Lindore dhe Azinë Qendrore” dhe kjo është raportuar në vitin 2021 edhe nga mediat në vendin tonë, por gjithashtu është përfshirë edhe në draft strategjinë për arsimin për vitet 2021-2026.
“Një prej rankimeve të pakta të besueshme ndërkombëtare që përfshin institucionet shqiptare të arsimit të lartë është QS-World University Rankings, i cili përveç të tjerash, harton listë të veçantë rankimi për 350 IAL-të më të mira të Europës Lindore dhe të Azisë Qendrorë. Nga viti 2020, në këtë listë figuron edhe Universiteti i Tiranës, si IAL-ja e vetme shqiptare dhe radhitet në vendin 301-350”- theksohet në dokumentin e Ministrisë së Arsimi.
Dokumenti i MAS
Një keqinterpretim i qëllimshëm?
Në lidhje me këtë rankim, Faktoje kontaktoi me zotin Shezai Rrokaj, shef i departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe ish rektor i UT.
Sipas profesorit, kjo është një luftë shifrash që ndodh për arsye të caktuara:
“Ka një mediatizim shumë të gabuar, sepse për mendimin tim jemi në një prag oferte për ardhjen e studentëve nëpër universitete, Nuk dua të vë gisht në marrëdhëniet publik-privat, por është edhe pjesë e konkurrencës kjo që po ndodh.
Janë tri agjenci ndërkombëtare serioze që merren me rankimin. Është ‘QS World University Ranking’, ‘Times Higher Education’, dhe ‘Academic Ranking World Universities’ që njhet ndryshe ‘Shanghai Ranking’.
Në të parën, ‘QS World University Ranking’, nga 42 IAL që ka Shqipëria, vetëm 4 prej tyre janë futur në rankim dhe universitetet janë: Universiteti i Tiranës, Politekniku, Bujqësori dhe ‘Aleksandër Moisiu’ (i Durrësit).
Bëhet fjalë për një rankim që është bërë në vitin 2020 dhe një rankim që është bërë këto ditë. Në vitin 2020, Universiteti i Tiranës rankohej në 130 universitete, duke marrë parasysh universitetet në pjesën e Ballkanit Perëndimor. Radhitej i 350-i, por duke marrë parasysh Europën Lindore dhe Azinë qendrore. Pra në këtë rankim ne renditeshim të 350-t, një mesatare.
Ajo që ka ndodhur tani është se Universitetet janë rankuar te mbi 600. Bëhet fjalë sikur jemi 200 vende më poshtë. Është e gabuar, sepse tani nuk është as Ballkani Perëndimor, as Europa Lindore dhe Azia Qendrore, por është pak a shumë BE-ja, që përfshin vende si Spanja, Franca, pra është Europa.
Në 3300 universitete që ka Bashkimi Europian dhe 4 mijë universitete që ka gjithë Europa, ku përfshihemi edhe, radhitemi të mbi 600-tët”.
Më tej, Rrokaj tregon edhe kriteret që janë përdorur në renditjen e universiteteve.
“I pari kriter është punësimi, sa janë të përgatitur studentët për t’u përfshirë në tregun e punës. E dyta, cili është ‘output-i’ akademik në kërkim, çfarë prodhojmë ne me projektet tona. E treta, çfarë partneriteti ekziston mes universiteteve dhe sipërmarrjes. Lidhur me kërkimin, UT dhe Universiteti Bujqësor me output kërkimim, janë radhitur në atë që ata thonë ‘mesatar’, kurse Universiteti i Durrësit dhe Politekniku janë radhitur në atë që quhet ‘I ulët”, argumeton zoti Rrokaj i cili rendit edhe disa nga problemet që po hasin sot universitetet shqiptare.
“Ajo që vuajnë universitetet për mendimin tim janë çështje që kanë të bëjnë me financimin e tyre për kërkim, një lidhje më të ngushtë të universiteteve me tregun e punës.
Mendoj se universitetet duhet të dalin nga mbyllja e tyre në raport me tregun kombëtar e lokal dhe nga ana tjetër vetë qeveritë duhet t’i konsiderojnë universitetet jo si vasalë, por si partnerë në zhvillim.
Universitetet kanë probleme shumë të mëdha me kurrikula që u ka ikur koha. Ka përsëritje dhe mbingarkesë informacioni, duhet një strukturim i thellë i gjithë kurrikulave universitare për t’i lehtësuar nga informacioni i vjetëruar nga njëra anë dhe nga përsëritja e informacionit të panevojshëm”, bën të ditur zoti Rrokaj.