Pretendimi: Kjo video dëshmon se maskat e fytyrës janë të rrezikshme për fëmijët duke treguar se nivelet toksike të dioksidit të karbonit përqendrohen brenda një maske.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, pretendohet se tregon rrezikun që maskat e fytyrës sjellin për fëmijët.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është postuar në internet në 7 korrik 2020, nga Del Bigtree për shfaqjen e tij në internet “The Highwire”. Megjithatë, video është fshirë nga kanali në YouTube i Bigtree për shkelje të rregullave të platformës

Në video, Bigtree përdori një sensor dioksidi karboni për të matur sasinë e CO2 në grimca për milion (ppm) që ishin të përqendruara nën maskat e mbajtura nga djali i tij. Sensori tregoi nivele prej 8486 ppm me një respirator N95, 8934 ppm me një maskë kirurgjikale dhe 9129 ppm me një maskë prej cope.

Bigtree i krahasoi këto gjetje me një grafik nga revista Occupational Health & Safety që tregon efektet anësore të punës në nivele të ndryshme të CO2.

Bigtree është themeluesi i një organizate kundër vaksinimit, por nuk përmend asnjë kredencial mjekësor ose shkencor në faqen e tij të internetit.

“Nuk ka dyshim se mbajtja e një maske në fytyrë do të rrisë nivelet e dioksidit të karbonit, por ata po përdorin pajisjen e gabuar dhe po përpiqen të krahasojnë numrat e gabuar”, shpjegoi për AFP Hyo-Jick Choi, një studiues në Universitetin e Albertës, i cili projektoi maska kirurgjikale dhe filtra respiratorë që çaktivizojnë lloje të caktuara virale.

“Numrat e tyre duhet të jenë krejtësisht të kundërta”, tha Choi, duke theksuar se në një eksperiment të mirëfilltë, nivelet e dioksidit të karbonit duhet të jenë më të larta me një maskë N95 dhe më të ulëta me një maskë prej cope, sepse kjo e fundit filtron më pak.

“Është e logjikshme që një maskë prej cope do të tregojë efikasitetin më të ulët të filtrimit, maska kirurgjikale do të ketë një efikasitet më të lartë filtrimi dhe N95 do të ketë efikasitetin më të lartë”, tha Choi.

Ai sugjeroi që gjetjet mund të jenë të gabuara sepse sensori i përdorur në video nuk është i përshtatshëm për eksperimentin. Ky matës i dioksidit të karbonit nga AZ Instrument Corp, një kompani me seli në Tajvan, varion nga 0 deri në 2,000 ppm. Ekrani i tij mund të shfaqë lexime deri në 9,999, por me më pak saktësi.

Një version i matësit të dioksidit të karbonit të përdorur në video dhe specifikimet e tij

Studiuesi paralajmëroi se video e Bigtree mashtron duke e paraqitur nivelin prej 5,000 ppm si një tregues të përcaktuar të toksicitetit. 5 mijë ppm është ekspozimi më i lartë i rekomanduar për njerëzit që punojnë tetë orë në ditë, veçanërisht në hapësira të mbyllura.

Eksperimentet mashtrojnë më tej duke e shkurtuar tabelën, duke e bërë 5,000 ppm të duket si niveli më i lartë, kur në fakt tabela e vërtetë tregon se 40,000 ppm e lart është niveli që konsiderohet i rrezikshëm, edhe për periudha të shkurtra kohore.

Steven Vercammen, një mjek belg i urgjencës, i cili shkroi një përmbledhje të studimeve mbi helmimin nga dioksidi i karbonit, i quajti eksperimentet në videon e Bigtree “shkencë e keqe.”

Sipas Vercammen, metrika e rëndësishme është niveli i oksigjenit dhe CO2 në qarkullimin e gjakut.

Vercammen tha për AFP se “Faqet e internetit të sigurisë në punë kanë hartuar udhëzime për përqendrimin e ajrit në një mjedis të mbyllur, si për punëtorët që pastrojnë depozita ose mjedise të tjera të mbyllura ku grumbullimi i CO2 mund të ndodhë në vëllime masive.”

“Janë bërë eksperimente të shumta që tregojnë se nuk ka efekt të rëndësishëm (shëndetësor) nga mbajtja e një maske”, tha ai.

Ewa Messaoudi, e cila merret me rregullimin e pajisjeve mbrojtëse të frymëmarrjes në AFNOR, organizata franceze që zbaton standardet e produkteve tha për France 24:  

“Është e rëndësishme të merret parasysh se kjo lloj mbrojtjeje është gjithmonë një kufizim për trupin e njeriut. Ne nuk mbajmë maskë për rehati në frymëmarrje, ne e mbajmë atë për t’u mbrojtur nga një rrezik ekzistues. Ajo që është e rëndësishme të përcaktohet është nëse maska i lejon trupit të njeriut të përmbushë nevojat e tij fiziologjike për periudhën e kufizuar kur përdoret. Kur zhvillojmë maska, ne i modelojmë ato sipas specifikimeve teknike bazuar në faktorët njerëzorë, si normat evropiane të standardizimit. Pra, po, niveli i CO2 rritet kur mbani një maskë, por mbetet një nivel i pranueshëm për trupin e njeriut.”

Një studim mbi punonjësit e kujdesit shëndetësor që ushtroheshin me maskë arriti në përfundimin se maska N95 “nuk imponoi ndonjë barrë të rëndësishme fiziologjike gjatë një ore përdorimi”, edhe pse çoi në rritjen e niveleve të dioksidit të karbonit. Një studim tjetër mbi gratë shtatzëna arriti në përfundime të ngjashme. 

Një numër mjekësh dhe infermierësh realizuan videot e tyre të bazuara në shkencë në përgjigje të vërshimit të videove që pretendonin se mbajtja e maskës mund të çonte në helmim nga CO2. Në disa nga videot, ata vendosën një maskë dhe matën nivelin e oksigjenit në gjakun e tyre. Ata demonstruan se mbajtja e një, ose edhe disa maskave, nuk e ul nivelin e oksigjenit në gjak.