Pretendimi: Fëmijët e pavaksinuar janë më të shëndetshëm se fëmijët e vaksinuar

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, tregon një pediatër që pretendon se fëmijët e pavaksinuar janë më të shëndetshëm se ata të vaksinuar. 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje zbuloi se personi në video është Paul Thomas. Si provë për pretendimet e tij, Thomas tregon në video një grafik nga një studim i vitit 2020 në Revistën Ndërkombëtare të Kërkimeve Mjedisore dhe Shëndetit Publik, një revistë me akses të hapur.

Studimi ishte bashkëautorizuar nga Paul Thomas dhe James Lyons-Weiler, dhe financohej nga Instituti për Njohuri të Pastër dhe të Aplikuar, një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga Lyons-Weiler, një shkencëtar që ka përhapur dezinformim mbi COVID-19 dhe vaksinat për vite.

Studimi, i cili pretendonte se fëmijët me më pak vaksinime kishin më pak vizita në njërën prej praktikave private të autorëve, u tërhoq nga revista më 22 korrik 2021, pas shqetësimeve “lidhur me vlefshmërinë e përfundimeve”. 

“Duke iu përmbajtur procedurës sonë të ankesave, u krye një hetim që ngriti disa çështje metodologjike dhe konfirmoi se përfundimet nuk mbështeteshin nga të dhëna të forta shkencore”, thuhet në deklaratën e revistës.

Thomas, një pediatër në Portland, Oregon, iu hoq licenca në dhjetor 2020 sepse nuk vaksinoi në mënyrë të përshtatshme pacientët. Sipas Bordit Mjekësor të Oregonit, sjellja e tij “ka shkelur standardin e kujdesit dhe ka vënë shëndetin dhe sigurinë e shumë pacientëve të tij në rrezik serioz”. Një nga pacientët e tij të pavaksinuar zhvilloi një rast të rëndë tetanozi që kërkoi një qëndrim dy mujor në një njësi të kujdesit intensiv.