Pretendimi: Një studim japonez ka zbuluar se sa më shumë doza vaksine anti-Covid të marrë një person, aq më herët është e mundshme që të vdesë
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se një studim japonez ka zbuluar se sa më shumë doza vaksine anti-Covid të marrë një person, aq më herët është e mundshme që të vdesë.
Pretendimi i referohet kryesisht një studimi të udhëhequr nga Profesor Yasufumi Murakami nga Universiteti i Shkencave i Tokios, i cili thuhet se analizoi një databazë prej 18 milionë njerëzish në Japoni, si të vaksinuar edhe të pavaksinuar.
Artikulli citon Dr. Murakami si të ketë thënë: “Sa më shumë doza të marrë një person, aq më herët është e mundshme që të vdesë”.
Megjithatë, artikulli nuk përmban ndonjë lidhje që të dërgon tek studimi në fjalë, as titullin e studimit, kur dhe në çfarë reviste shkencore ai është botuar, apo ndonjë tjetër informacion identifikues.
Nga një kërkim me fjalë kyçe, dhe këqyrja e publikimeve nën emrin Yasufumi Murakami në databazat shkencore nuk rezultoi ndonjë studim si ai i cituar në artikull.
Nuk ka prova që sa më shumë doza vaksine anti-Covid të marrë një person, aq më herët është e mundshme që të vdesë.
Një studim i nëntorit 2022 nga tre shkolla mjekësore japoneze, Zyra e Mjekut Ligjor të Tokios dhe Qeveria Metropolitane e Tokios zbuloi se efektet anësore të lidhura me vaksinën mund të kenë shkaktuar 1690 vdekje në Japoni midis 17 shkurtit 2021 dhe 17 prillit 2022. Megjithatë, studiuesit shtuan se “mungesa e informacionit të mjaftueshëm” pengoi një vlerësim të plotë të ndikimit të vaksinimit në këto vdekje. Studiuesit arritën në përfundimin se “shumë raste të vdekjeve pas vaksinimit kundër Covid-19 në këtë studim nuk treguan një lidhje të caktuar shkakësore midis vaksinimit dhe vdekjeve.”
Ndërkaq, një studim i gushtit 2022, i financuar pjesërisht nga Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies së Japonisë, tregoi se programi i vaksinimit i Japonisë çoi në “ulje të konsiderueshme” të rasteve të Covid (33%) dhe të vdekjeve (67%). Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, qeveria japoneze dhe zyrtarët e shëndetësisë pohojnë se vaksinimi është forma më e mirë e mbrojtjes kundër infeksionit dhe sëmundjes së rëndë me Covid.