Pretendimi: Një prej avionëve amerikanë B-2 që bombardoi Iranin nuk u kthye pas, por u rrëzua nga Irani
Verdikti: E paprovuar
————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se një nga avionët amerikanë B-2, të cilët bombarduan Iranin në fund të qershorit 2025, nuk është kthyer sërish në bazë, por është rrëzuar dhe kapur nga Irani.
Si zakonisht, postimet në rrjete sociale nuk sjellin ndonjë provë për të mbështetur këtë pretendim. Nëse iranianët do të kishin shtënë në dorë avionin B-2 të rrëzuar kjo ngjarje nuk do të kalonte në heshtje nga propaganda e Teheranit.
Më 22 qershor 2025, ShBA sulmoi tre objekte bërthamore në Iran, si kundërpërgjigje ndaj raketave të lëshuara drejt Izraelit. Fabrika e Pasurimit të Uraniumit Fordow, Objekti Bërthamor Natanz dhe Qendra e Teknologjisë Bërthamore Isfahan u shënjestruan me katërmbëdhjetë bomba “bunker buster” me peshë 14,000 kg, të transportuara nga bombarduesit e fshehtë Northrop B-2 Spirit, dhe me raketa Tomahawk të lëshuara nga një nëndetëse.
Një grafik i publikuar nga Pentagoni tregonte itinerarin e fluturimit duke kaluar mbi Liban, Siri dhe Irak. “B-2-shat tanë hynë, dolën dhe u kthyen pa e ditur bota fare,” u tha gazetarëve të Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Kronologjia e “Operacionit Midnight Hammer”, një sulm i ShBA ndaj objekteve bërthamore të Iranit, i publikuar nga Departamenti i Mbrojtjes, më 22 qershor 2025.
Operacioni zgjati afërsisht 18 orë, por nuk ka asnjë raport të besueshëm për rrëzimin e ndonjë avioni amerikan. Asnjë burim i besueshëm i mbrojtjes apo inteligjencës nuk ka konfirmuar ndonjë incident të tillë që përfshin një bombardues B-2.
Ndërkaq, raportime të shumta tregojnë bombarduesit që ishin të përfshirë në sulmin ndaj Iranit, duke u kthyer në ShBA. Llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në platformën X ndau gjithashtu një video të bombarduesve B-2 që zbarkuan në Bazën Ajrore Whiteman në Missouri pasi goditën Iranin.
Të gjithë bombarduesit B-2 Spirit të përdorur në sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit u kthyen në Shtetet e Bashkuara “pa incidente”, sipas deklaratave të presidentit Trump dhe qeverisë amerikane.