Pretendimi: Pacientët që nuk e trajtojnë kancerin jetojnë katër herë më gjatë
Verdikti: I pavërtetë
Vjolanda Peca
Këshilla se personat e sëmurë me kancer jetojnë katër herë më gjatë nëse nuk trajtohen, mund të duket tërheqës dhe mund të krijojë natyrshëm pikëpyetje te audienca.
Një pretendim i tillë është ndarë në rrjet nga një profil shqiptar në Facebook, me tekstin: “Sipas profesorit Hardin Jones, më mirë është mos trajtohesh fare se të trajtohesh me protokollet e spitaleve që përveçse marrin para nga kompanitë e sigurimit, nuk bëjnë asgjë tjetër, madje të shkurtojnë katër herë më shumë jetën”.
Këto mendime i atribuohen një filozofi dhe statisticieni, të njohur për mendimet e tij skeptike mbi trajtimin e kancerit, i quajtur Hardin Jones.
Hardin Jones, shkencëtari biomjekësor, 1914-1978
Një nga pretendimet e tij më të diskutueshme është se pacientët me kancer të patrajtuar jetojnë katër herë më gjatë se ata që trajtohen. Ky pretendim është përhapur në shumë faqe interneti dhe ka ngritur shumë pikëpyetje në komunitetin mjekësor.
Jones kishte një këndvështrim të zymtë për trajtimin e kancerit në kohën e tij. Ai argumentonte se trajtimi mund të mos përmirësojë pritshmërinë e jetës dhe madje mund të zvogëlojë kohën e mbijetesës së pacientëve. Në një citim të famshëm, ai tha: “Është shumë e mundshme që, në terma të pritshmërisë së jetës, mundësia e mbijetesës të mos jetë më e mirë me trajtim sesa pa të, dhe ekziston mundësia që trajtimi të mund të zvogëlojë kohën e mbijetesës së kancerit.”
Një nga kritikat kryesore ndaj Jones është se ai nuk ofroi prova të mjaftueshme për të mbështetur hipotezat e tij. Përkundrazi, disa nga studimet që ai citon, sugjerojnë përfitime të dukshme të mbijetesës për pacientët e trajtuar krahasuar me ata të pa trajtuar. Megjithatë, ai sfidonte këto interpretime për një sërë arsyesh që nuk mund të verifikoheshin plotësisht pa u provuar në praktikë nga shkenca.
Sigurisht, mendimet dhe njohuritë e Jones i përkasin një periudhe të hershme, pasi ai u nda nga jeta plot 46 vite më parë. Gjatë këtyre viteve ka shumë më tepër kërkime dhe trajtime që përmirësojnë shanset e të prekurve nga kanceri.
Në një artikull të shpërndarë nga “ Mjekësia Alternative dhe Kanceri”, tregohen statistikat e fundit të pavarura nga SHBA, Anglia, Suedia dhe Holanda, se shkalla e vdekjes nga kanceri i gjirit është duke rënë për herë të pare. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit ka bërë të mundur trajtime më pak radikale dhe ruajtja e gjirit është tani e mundur në mbi gjysmën e pacientëve të rinj.
Megjithëse Hardin Jones ishte skeptik ndaj trajtimit të kancerit dhe kishte disa mendime të vlefshme në kontekstin e kohës së tij, progresi në trajtimet e kancerit ka çuar në përmirësime të ndjeshme në mbijetesën dhe cilësinë e jetës së pacientëve. Trajtimet moderne dhe zbulimi i hershëm i kancerit kanë përmirësuar ndjeshëm rezultatet dhe kanë sfiduar shumë nga hipotezat e tij.