I pabazë ky shpjegim i Tokës së sheshtë dhe kupolës që mbulon planetin

9

Pretendimi: Kjo skemë tregon formën e sheshtë të Tokës dhe kupolën që e mbulon

Verdikti: E paprovuar, Gjeneruar me AI

—————————————————————

Një postim i fundmarsit 2026 nga publicisti i teorive konspiracioniste Alfred Cako përmban një skemë që pretendohet se tregon formën e sheshtë të Tokës dhe kupolën që e mbulon atë.

Nëse e gjeni veten të habitur apo mahnitur nga ky imazh, duhet vërejtur fillimisht se “Krijuesi” i tij nuk është veçse një program kompjuterik me inteligjencë aritificiale (AI). Një tregues i vëzhgueshëm me sy të lirë është teksti i pakuptimtë në cepin e majtë poshtë.

Një kërkim me motorrin e kërkimit pamor Google Lens konfirmon se imazhi i mësipërm është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Përtej një imazhi të gjeneruar me AI, nuk ofrohet asnjë provë, dëshmi, apo referencë për te mbështetur ekzistencën e Tokës së Sheshtë apo kupolës që e mbulon atë.

Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, nëse do të kishte një kupolë që mbulonte Tokën, astronautët do ta kishin hasur atë deri tani.

Lora Bleacher, menaxhere e komunikimit në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Goddard të NASA, tha për Reuters se “NASA ka çuar anije kozmike larg në sistemin diellor dhe më gjerë, dhe ne nuk kemi hasur në një kupolë.” Imazhet e Tokës të marra nga hapësira nga NASA, pa asnjë kupolë ose qiell në horizont, mund të shihen këtu.

Fotografia e parë e Tokës me disk të plotë, e bërë nga sateliti sovjetik i komunikimit Molniya 1-3 më 1965

Imazhi i “Zarit Blu” i bërë nga astronautët e Apollo 17 gjatë rrugës së tyre për në Hënë, 1972

Mbi 250 anije kozmike robotike janë dërguar në hapësirë që nga viti 1958, kur NASA “filloi të eksploronte përtej atmosferës së Tokës”, sipas faqes së internetit të agjencisë. NASA gjithashtu ka një rekord prej qindra fluturimesh hapësinore njerëzore, duke filluar me lëshimin e parë të Projektit Mercury në vitin 1961 dhe duke vazhduar deri në misionin aktual të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor. Të gjitha janë larguar nga Toka dhe janë kthyer pa goditur ndonjë kupolë.

NASA ka publikuar gjithashtu video të nisjeve të anijeve kozmike, përfshirë nisjen e anijes kozmike Atlantis, ku një ekuipazh prej katër astronautësh veteranë arritën me sukses në hapësirë, pa goditur një kupolë.

Thorsten Becker, një profesor në departamentin e shkencave gjeologjike në Universitetin e Teksasit në Austin, tha se “ne dërguam astronautë në Hënë të cilët bënë fotografi të një zari dhe jo të një cope drejtkëndëshe” dhe se “ata gjithashtu nuk u përplasën” me një kupolë.