Pretendimi: Më shumë se 340 gjeneralë amerikanë, admiralë, komandantë krahu dhe ekspertë sigurie në pension kanë lëshuar një paralajmërim publik duke pretenduar se presidenti i SHBA Donald Trump është një kërcënim për demokracinë amerikane.
Verdikti: E paprovuar
————————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se 340 udhëheqës dhe ekspertë ushtarakë amerikanë në pension kanë paralajmëruar publikisht se presidenti i SHBA Donald Trump është një kërcënim për demokracinë amerikane.

Si fillim duhet vërejtur që imazhi që shoqëron postimin nuk është real por me gjasa është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI). Tregues i artificialitetit të imazhit janë turma e gjeneralëve që duken sikur janë klonuar, pasi janë kaq të ngjashëm. Më tej, një krahasim mes uniformave në imazh dhe uniformës së një gjenerali të vërtetë të ushtrisë amerikane, Mark A. Milley, tregon se ato përngjajnë vetëm përciptazi dhe nuk janë të njejta.

Gjeneral Mark A. Milley (djathtas) dhe “gjeneralët” e gjeneruar nga AI (majtas)
Sa i përket vetë pretendimit, megjithëse postimi flet për një “paralajmërim publik” ai nuk e bën publik paralajmërimin, fjalët konkrete që pretendohet se kanë thënë 340 udhëheqësit në pension, të cilët gjithashtu mbeten anonimë.
Postimi nuk jep as ndonjë burim apo referencë nga ku vjen ky informacion i pretenduar.
Një kërkim për këtë “paralajmërim publik” në motorët e kërkimit të rrjetit nuk jep ndonjë rezultat, dhe asnjë media e besueshme nuk ka raportuar mbi një ngjarje të tillë.
Për krahasim, Instituti Hebraik për Sigurinë Kombëtare të Amerikës (JINSA) botoi në fillim të marsit 2026 një letër të hapur në mbështetje të sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit nga 75 udhëheqës ushtarakë amerikanë në pension. Teksti i plotë i letrës u botua në faqen e JINSA dhe u raportua nga një numër mediash. Në përfundim të letrës, listohen dhe të gjithë emrat dhe gradat e nënshkruesve.

Letër e hapur në mbështetje të sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit nënshkruar nga 75 udhëheqës ushtarakë amerikanë në pension
Ndërsa “paralajmërimi publik” kundër Trump nga 340 ushtarakë amerikanë në pension mbetet i paprovuar publikisht.






