.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI pabazë krahasimi mes Belerit dhe aktivistes italiane të arrestuar në Hungari

I pabazë krahasimi mes Belerit dhe aktivistes italiane të arrestuar në Hungari

Pretendimi: Parlamenti Evropian është mbushur me kriminelë të së majtës

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian mbaruan më 9 qershor dhe rezultatet kanë qënë pjesë e fushatave të ndryshme dizinformimi. Së fundmi, po qarkullon në rrjet pretendimi se Parlamenti Evropian, sidomos partitë e majta, janë mbushur me kriminelë. Ky postim jo vetëm që nxjerr situatën jashtë kontekstit, por përmban gjithashtu gabime dhe të pavërteta të ndryshme.

Postimi në fjalë i referohet zgjedhjes se Fredi Belerit si eurodeputet përmes koalicionit të kryeministrit grek Mitsotakis. Aty pretendohet se Beleri, që është në burg i akuzuar për blerje të votave, i përket një partie të majtë. Në fakt, koalicioni i Mitsotakis nuk i përket të majtës, por qendrës së djathtë, si në Greqi dhe në Parlamentin Europian. Në Parlament, demokristianët e Mitsotakis bëjnë pjesë te European People’s Party (EPP) që janë grupim po ashtu i qendrës së djathtë.

Një tjetër eurodeputete e zgjedhur ndërsa ndodhet nën akuzë është Ilaria Salis, italiania që ishte në arrest shtëpie në Hungari, pas përfshirjes së saj në një protestë antifashiste. Situata e saj penale është nxjerrë nga konteksti për ta përfaqësuar atë si një personazh të rrezikshëm të së majtës ekstreme.

Ilaria Salis, një mësuese nga Monza në veri të Italisë, u arrestua në shkurt të 2023 në Budapest. Ajo ishte në Hungari për një protestë antifashiste, ku aktivistë dhe qytetarë ishin mbledhur për t’iu kundërvënë një demonstrate neo-naziste në kryeqytetin hungarez. Çdo vit, neo-nazistët hungarezë mblidhen për të festuar Ditën e Nderit, edhe përse qeveria e kanë ndaluar si celebrim.

Disa orë pas marshimit ajo u ndalua në një taksi me dy militantë të tjerë antifashistë gjermanë, njëri prej të dyve kishte një shkop në xhep. Ajo u akuzua për katër sulme, por dy akuza u hodhën poshtë herët sepse u vërtetua se Salis nuk kishte mbërritur ende në Hungari ditën që ato kishin ndodhur. Salis akuzohet se ka sulmuar dy neonazistë gjatë marshimit, sulme të cilat sipas prokurorisë kanë qenë “potencialisht fatale”, megjithëse dy viktimat nuk kanë bërë asnjë denoncim dhe janë shëruar brenda pak ditësh.

E pandehura i ka mohura akuzat, të cilat parashikonin një dënim deri në 11 vjet burg, dhe akuzon prokurorinë hungareze se po e dënon atë për shkak të bindjeve politike. Gjatë gjyqit më 24 maj 2024, pasi Salis kishte kaluar më shumë se një vit në burg në Budapest në kushte që ajo i përshkruan si të mjerueshme, as viktima dhe as dy dëshmitarët nuk mundën ta identifikonin Salis si personin pas sulmit pasi sulmuesit kishin veshur maska.

Koalicioni italian i të Gjelbërve dhe të Majtëve (Alleanza Verdi e Sinistra) e vendosi Salis në listën e saj zgjedhore dhe qytetarët italianë i besuan një mandat eurodeputeti. Pas kësaj fitoreje, Salis fitoi imunitet dhe u lirua nga burgimi në Hungari më 14 qershor, pas kërkesës së avokatëve te saj.

“Falenderojmë të gjithë ata që, si ne, janë indinjuar dhe nuk kanë pranuar gjendjen e tmerrshme në të cilën [Salis] u mbajt në burgjet e Orbanit gjatë këtyre muajve. Tani ajo mund të mbrojë së bashku me ne të drejtat civile dhe sociale të më të pambrojturve,” ka thënë një përfaqësues i Aleancës, duke iu referuar kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img