Pretendimi: Reperi P Diddy përdhunoi aktoren e njohur kur ishte 13 vjeçe

Verdikti: E paprovuar, clickbait


Reperi dhe producenti Sean Combs, i njohur gjithashtu si P. Diddy, u arrestua më 16 shtator nën akuzua për “shantazh, trafikim seksual dhe transport për t’u angazhuar në prostitucion.” Prokurori Damian Williams tha se “të paktën nga 2008 e deri më tani, Combs ka abuzuar, kërcënuar dhe detyruar viktimat për të përmbushur dëshirat e tij seksuale, mbrojtur reputacionin e tij dhe fshehur sjelljen e tij.”

Në vazhdën e arrestimit të tij, rrjetet sociale janë mbushur me thashetheme dhe spekulime mbi bashkëpunëtorët dhe viktimat e mundshme të Diddy. 

Kështu një artikull i portalit News-31 mban titullin “P Diddy përdhunoi aktoren e njohur kur ishte 13 vjeçe? Publikohen pamjet shqetësuese në rrjet: Do vish në festë sonte.”

brendinë e tij, artikulli nuk raporton për ndonjë akuzë të aktores në fjalë ndaj Diddy, por prezanton një video në të cilën shfaqet aktorja, në atë kohë 13 vjeç, duke u përqafuar në skenë nga Diddy dhe aktori Ashton Kutcher. Më pas, Diddy dëgjohet ta pyesë aktoren minorene nëse do të shkojë në festën e asaj nate.

Vetë artikulli pranon se “Chase nuk e ka komentuar videon e rishfaqur dhe nuk ka asnjë provë që sugjeron se diçka e pakëndshme ka ndodhur në festën pasuese të vitit 2003.”

Megjithatë, ai përdor një titull qëllimisht keqinformues për të mbledhur sa më shumë klikime duke shfrytëzur kuriozitetin e audiencave. Ky titull, ç’është më e rënda, keqinformon duke aluduar pa asnjë provë mbi përdhunimin e dikujt kur ajo ka qenë fëmijë.