Pretendimi: Nuk duhet të hani më byrekë sepse ai pengon zhvillimin e trurit
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————-
Në rrjete sociale po qarkullon një paralajmërim kundër byrekut. “Ekspertja jep lajmin e ”frikshëm”! Mos hani më byrekë, ja çfarë na ndodh kur e konsumojmë këtë produkt”, shkruan titulli sensacional i artikullit të portalit Shqipëria-ime. Artikulli ka siguruar mbi 172 mijë lexime gjatë ditëve të para të publikimit në rrjetin Facebook, duke dëshmuar për interesin që ka ngjallur përfshirja e një nga ushqimeve të dashura për shqiptarët.
Përtej titullit që peshkon për klikime, në brendinë e artikullit citohet një psikologe turke e quajtur Nejla Avci të ketë thënë: “Çdo lloj ushqimi si byreku apo bugaçja ndikon në masë të madhe në çrregullimin e hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes. Byreku pengon zhvillimin e trurit. Ndërsa sheqeri me energjinë e tepërt që jep, në mënyrë negative ndikon mbi trurin.”
Sipas mediave vendase, gjatë një seminari në 2018, psikologia Nejla Avci u foli prindërve të Bagcilar mbi çrregullimin e deficitit të vëmendjes/hiperaktivitetit (ADHD) tek fëmijët.
Miti i lidhjes mes sheqerit dhe hiperaktivitetit bazohet në një studim të vetëm nga vitet 1970, në të cilin një mjek hoqi sheqerin nga dieta e një fëmije dhe sjellja e tij u përmirësua. Që atëherë, një sërë studimesh më të mëdha janë kryer pa provuar se sheqeri shkakton hiperaktivitet. Megjithatë, studiuesit kanë zbuluar se prindërit kanë më shumë gjasa të thonë se fëmijët e tyre janë tepër aktivë kur mendojnë se ata kanë konsumuar sheqer.
Studimet mbi sheqerin dhe simptomat e hiperaktivitetit kanë patur rezultate të përziera. Disa studime kanë raportuar një rritje modeste të hiperaktivitetit pas ngrënies së sheqerit, ndërsa të tjerët nuk kanë gjetur ndonjë ndryshim në simptoma.
Studimet mbi lidhjen midis sheqerit dhe çrregullimit të deficitit të vëmendjes/hiperaktivitetit (ADHD) kanë gjetur pak ose aspak prova që sheqeri ndikon drejtpërdrejt në simptomat e ADHD, aq më pak të shkaktojë çrregullimin.
Një studim 14-vjeçar i botuar në vitin 2010 arriti në përfundimin se dieta perëndimore – e cila është e lartë në yndyrë, kalori dhe sheqer – lidhet me norma më të larta të ADHD tek fëmijët. Por hulumtimi ishte në gjendje të gjente vetëm një korrelacion; nuk tha se ADHD shkaktohet nga dieta perëndimore. Në fakt, autorët e studimit deklaruan se është e mundur që të paturit ADHD mund të bëjë që fëmijët të dëshirojnë ushqime të pasura me yndyrë që i bëjnë të ndihen mirë.
Sipas shoqatës amerikane Akademia e të Ushqyerit dhe Dietologjisë, ekspertët këshillojnë të bëni një vlerësim të mjedisit të fëmijës përpara se të fajësoni ëmbëlsirat për hiperaktivitetin ose sjelljen e keqe. Disa studime madje sugjerojnë se sheqeri në fakt mund të ketë një efekt qetësues sepse prodhon një kimikat të quajtur serotonin, i cili kontribuon në një ndjenjë mirëqenieje.
Pra, ADHD nuk shkaktohet nga sheqeri dhe nuk ka prova të mjaftueshme për të thënë se sheqeri ndikon drejtpërdrejt në ADHD ose hiperaktivitet. Studimet mbi ADHD dhe sheqerin janë kontradiktore dhe kanë kufizime. Megjithatë, luhatjet e sheqerit në gjak mund të ndikojnë në disponimin dhe aftësinë tuaj për t’u fokusuar. Një dietë të ekuilibruar që përfshin proteina dhe karbohidrate komplekse dhe që kufizon sheqerin e tepërt është një pjesë e rëndësishme e një stili jetese të shëndetshëm për të gjithë, përfshirë njerëzit me ADHD.
Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor britanik, një dietë e ekuilibruar bazohet mbi pesë grupe ushqimore: karbohidratet, yndyrat dhe sheqernat, frutat dhe perimet, proteinat dhe
bulmeti.