Pretendimi: Peshat e balancimit të gomave janë pajisje spiunazhi nga qeveria
Verdikti: E paprovuar
————————————————–
Një artikull i portalit shqipfolës alb365 pretendon se “peshat e balancimit të gomave janë pajisje spiunazhi nga qeveria!”
Në brendinë e tij, artikulli pretendon më tej se “një investigim i fshehtë” dhe “burime të brendshme” kanë zbuluar se peshat metalike që vendosen tek rrotat e makinës janë “pajisje të
sofistikuara spiunazhi të instaluara nga qeveria për të gjurmuar çdo lëvizje të qytetarëve.” Ai citon më tej “një ish-punonjës anonim të një kompanie prodhuese” dhe “ekspertët e pavarur.”
Lexuesi skeptik vëren se artikulli jo vetëm nuk ofron ndonjë provë konkrete që ka dalë nga investigimi i fshehtë që mbështet pretendimin e jashtëzakonshëm, por as nuk jep ndonjë detaj bazë identifikues që do ta vendoste ngjarjen e pretenduar në kohë dhe hapësirë.
Kush e kreu këtë investigim të fshehtë, brenda cilit institucioni apo kompania ndodhen burimet e cituara, cilët janë ekspertët e pavarur, në cilën kompani prodhuesi punonte burimi anonim, dhe, më kryesorja, cila qeveri pretendohet se po spiunon qytetarët e saj? Asnjë nga këto pyetje që lindin natyrshëm nuk gjen përgjigje në tekst, duke e bërë pretendimin mjaftueshëm të vagullt sa t’i përshtatet situatës të një sërë lexuesish.
Pretendimi i mësipërm qarkullon në rrjet të paktën që nga viti 2019 dhe është përgënjeshtruar nga kolegët fakt-verifikues të Snopes.
Peshat e rrotave nuk kanë asnjë lidhje me spiunazhin. Ato përdoren gjatë procesit të “balancimit të rrotave” një procedurë që siguron që gomat dhe rrotat të kenë shpërndarje të barabartë të peshës, si dhe të eliminojnë dridhjet dhe konsumimin e tepërt ose të pabarabartë të gomave.
Çipet RFID në fakt vendosen në disa goma. Por jo që qeveria t’ju gjurmojë. Si rregull, kjo teknologji përdoret kryesisht për qëllime inventari. Në vitin 2006, NASCAR përdorte teknologjinë RFID të ngulitur në muret e gomave për të ndihmuar në menaxhimin e inventarit të marrë me qira.
Çipet RFID (identifikimi me radiofrekuencë) janë mikroçipa që japin të dhëna që mund të përdoren nga një skaner ose lexues duke përdorur sinjale të radiofrekuencës. Zakonisht, ai ka një lloj antene të integruar. Në thelb, është një barkod i cili mund të lexohet deri në disa metra larg. “Çipet RFID mund të ngjiten pothuajse kudo: rroba, këpucë, automjete, kontejnerë dhe madje edhe bimë, kafshë dhe qenie njerëzore,” sipas Techopedia.com.