Pretendimi: Fëmijët e pavaksinuar nuk sëmuren
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————–
Video e një pediatri që pretendon se fëmijët e pavaksinuar janë më të shëndetshëm se ata të vaksinuar po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.

Personi në video është Paul Thomas. Si provë për pretendimet e tij, Thomas tregon në video një grafik nga një studim i vitit 2020 në Revistën Ndërkombëtare të Kërkimeve Mjedisore dhe Shëndetit Publik, një revistë me akses të hapur.
Studimi me autorë Paul Thomas dhe James Lyons-Weiler financohej nga Instituti për Njohuri të Pastër dhe të Aplikuar, një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga Lyons-Weiler, një shkencëtar që ka përhapur dezinformim mbi COVID-19 dhe vaksinat për vite.
Studimi, i cili pretendonte se fëmijët me më pak vaksinime kishin më pak vizita në njërën prej praktikave private të autorëve, u tërhoq nga revista më 22 korrik 2021, pas shqetësimeve “lidhur me vlefshmërinë e përfundimeve”.
“Duke iu përmbajtur procedurës sonë të ankesave, u krye një hetim që ngriti disa çështje metodologjike dhe konfirmoi se përfundimet nuk mbështeteshin nga të dhëna të forta shkencore”, thuhet në deklaratën e revistës.

Studimi shqyrtoi faturimin dhe të dhënat mjekësore të 3,324 pacientëve nga Integrative Pediatrics, një klinikë e drejtuar nga Thomas. Nga 3,324 pacientë, 2,763 morën nga një deri në 40 vaksina. Për të përcaktuar nëse kishte një ndryshim në barrën e sëmundjes midis fëmijëve të pavaksinuar dhe atyre të vaksinuar, autorët krahasuan fëmijët bazuar në një metrikë të re të krijuar për studimin, të quajtur Incidenca Relative e Vizitave në Zyrë (RIOV).
David Gorski, profesor i kirurgjisë në Universitetin Shtetëror Wayne dhe redaktor i Science-Based Medicine, shpjegon problemet e shumta me qasjen e autorëve, veçanërisht me përdorimin e RIOV, një metrikë që nuk është treguar nga autorët që është një përfaqësim i besueshëm për incidencën e sëmundjes:
“Autorët pretendojnë se RIOV ‘pasqyron numrin total të vizitave të faturuara në zyrë për gjendje për grup, duke reflektuar barrën totale të sëmundjes në grup dhe popullatën që ai përfaqëson’, por nuk ofrohet asnjë analizë ose referencë e mirë për të treguar se RIOV, në fakt, korrelon me barrën e sëmundjes, veçanërisht kur përdoren të dhënat e faturimit. Kryerja e analizave të përputhura për pacientët me ‘ditë kujdesi’ (DOC) të ngjashme në praktikë, e cila pretendohet të jetë ‘e paanshme’ (më falni nëse dyshoj në këtë, duke pasur parasysh se nuk kishte një demonstrim të mirë se […] zgjedhja e fëmijëve me DOC të përputhur ishte, në fakt, ‘e paanshme’) nuk e ndryshon këtë. Nëse rezultati kryesor është një metrikë e re, e pavaliduar, është detyrë e studiuesit të demonstrojë qëndrueshmërinë e saj.”
Gorski theksoi gjithashtu mundësinë që pikëpamjet e vetë Thomas mbi vaksinat ndikojnë në mënyrën se si praktika e tij i qaset diagnozave të autizmit:
“Dr. Thomas beson se vaksinat shkaktojnë autizëm. Pikërisht këtu futet një paragjykim i pavetëdijshëm që mund të ndikojë në gjasat që ai dhe stafi i tij të hetojnë shenja delikate të autizmit dhe [të referojnë] për vlerësim bazuar në statusin e vaksinimit dhe sa ka gjasa që ai t’u atribuojë diagnoza të ndryshme fëmijëve ‘të pavaksinuar’ krahasuar me fëmijët ‘e vaksinuar’. Mund të imagjinohet lehtësisht ky paragjykim që çon në faktin se fëmijët e pavaksinuar kanë më pak gjasa të diagnostikohen me autizëm sesa fëmijët e vaksinuar ose që – guxoj të them? – të sillen në zyrë aq shpesh për gjendje të ndryshme që Dr. Thomas ua atribuon vaksinave.”
Ironikisht, siç theksoi Gorski, Tabela 7 e studimit tregon se vaksinat funksionojnë, me një rënie statistikisht të rëndësishme në incidencën e sëmundjeve të parandalueshme nga vaksina tek fëmijët e vaksinuar krahasuar me fëmijët e pavaksinuar.

Thomas, një pediatër në Portland, Oregon, iu hoq licenca në dhjetor 2020 sepse nuk vaksinoi në mënyrë të përshtatshme pacientët. Sipas Bordit Mjekësor të Oregonit, sjellja e tij “ka shkelur standardin e kujdesit dhe ka vënë shëndetin dhe sigurinë e shumë pacientëve të tij në rrezik serioz”. Një nga pacientët e tij të pavaksinuar zhvilloi një rast të rëndë tetanozi që kërkoi një qëndrim dy mujor në një njësi të kujdesit intensiv.
Një sërë studimesh të hartuara mirë që shqyrtojnë ndryshimet në rezultatet shëndetësore dhe zhvillimore midis fëmijëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar nuk zbuluan rezultate negative shëndetësore tek fëmijët e vaksinuar. Një studim i vitit 2004 në Pediatrics nuk tregoi asnjë lidhje midis vaksinave dhe vonesës në zhvillim. Një studim tjetër zbuloi se fëmijët që u vaksinuan në vitin e parë të jetës së tyre performuan më mirë në testet konjitive. Fëmijët që morën vaksinën kundër fruthit në vendet në zhvillim, konkretisht Etiopi, Indi dhe Vietnam, arritën rezultate më të mira në testet konjitive sesa ata që nuk e morën. Një studim i vitit 2011 në Gjermani, i cili shqyrtoi incidencën e alergjive dhe infeksioneve midis më shumë se 13 mijë individëve, nuk gjeti rezultate negative shëndetësore të lidhura me vaksinimin.
Një studim tjetër në Gjermani, i botuar në vitin 2014, shqyrtoi më shumë se 1,300 individë dhe zbuloi se vaksinimi ishte i lidhur me një incidencë dukshëm më të ulët të astmës. Një Rishikim i Cochrane i vitit 2020 i 138 studimeve nuk tregoi prova që mbështesin një lidhje të vaksinimit kundër fruthit, shytave dhe rubeolës me astmën, infeksionet bakteriale ose virale, vonesën njohëse, diabetin e tipit 1, dermatitin/ekzemën dhe ethet e sanës. Të paktën 20 studime zbuluan se vaksinat nuk janë të lidhura me autizmin.






