Pretendimi: Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, takoi liderin bektashian Baba Mondi gjatë vizitës në Tiranë
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Pas vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë më 23 tetor, në rrjete sociale po qarkullon një imazh që pretendon se ajo pati një takim me kryeministrin Edi Rama dhe kreun bektashi Baba Mondi.
Imazhi i mësipërm duket si titulli i një artikulli të botuar më 23 tetor 2024, në formatin “Turi ballkanik/ Presidentja e KE-së viziton Tiranën, takim me Ramen dhe Baba Mondin (Agjenda).”
Megjithatë, një kërkim me këtë titull nuk jep asnjë rezultat në Google.
Në vend të tij, shfaqet një artikull i ABCnews.al në titullin e së cilit deklarohet se takimi i von der Leyen do të ishte me Ramën dhe presidentin Bajram Begajn, jo Baba Mondin.
Siç mund të vërehet në krahasimin e mësipërm, data dhe ora e botimit është e njejtë në të dy imazhet. Fotografia e von der Leyen, gjithashtu, është po e njejta, ndërkohë që foto e Baba Mondit i është mbivendosur në imazhin djathtas.
Axhenda e përshkruar në artikull, gjithashtu, përfshin dy takime të von der Leyen, një me Ramën dhe një me Begaj. Në asnjë media nuk është raportuar ndonjë takim i presidentes së KE me Baba Mondin.
Si rrjedhim, imazhi i shpërndarë në rrjete sociale me gjasa është i manipuluar.