Pretendimi: Kjo video është një njoftim zyrtar nga presidenti amerikan Donald Trump duke promovuar kriptomonedhën Doge Coin
Verdikti: E pavërtetë, Deepfake
———————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon presidentin amerika Donald Trump duke dhënë ç’pretendohet se është një “njoftim zyrtar” lidhur me vlerën e shkëmbimit të një kriptomonedhe të quajtur Doge Coin, në përfundim të së cilit, ai i nxit amerikanët të mos humbasin kohë por të blejnë këtë kriptomonedhë sa më shpejt për të ndryshuar jetën e tyre.
Megjithatë, që në pamje të parë lexuesit kritik do t’i ngjallen dyshime për vërtetësinë e kësaj video.
Pamja e Trump, kryesisht mënyra e panatyrshme në të cilën lëviz goja e tij na bën të dyshojmë se kjo video është manipuluar me anë të teknologjisë deepfake, e cila manipulon shprehitë e fytyrës.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një video të ngjashme, të postuar nga llogaria e Shtëpisë së Bardhë në platformën X më 6 qershor 2025.
Gjasat janë që video ku Trump promovon Doge Coin është gjeneruar duke përdorur pamje nga një video e tillë, e një fjalimi të vërtetë të Trump, të cilat janë manipuluar me anë të tekonologjisë deepfake.
Për të treguar ndryshimin midis videos së vërtetë dhe asaj të gjeneruar me deepfake, më poshtë krahasojmë të dyja klipet. Vërreni lëvizjet e gojës së Trump në secilën.
Videos së manipuluar me deepfake i është shtuar audio me zërin e Trump. Zëri karakteristik i Trump ka arritur të imitohet nga një sërë programe të inteligjencës artificiale (AI) duke i dhënë mundësinë çdokujt ta bëjë presidentin të thotë çfarëdo, siç Faktoje ka treguar më parë.
Nuk ka postime zyrtare apo raportime se Trump ka folur apo promovuar ndonjëherë për kriptomonedhën Dogecoin.
Në fakt, vlera e këmbimit e Dogecoin, e cila fitoi popullaritet pjesërisht sepse miliarderi Elon Musk dikur e quajti atë “kriptomonedha e popullit”, ra me 22% në fillim të Qershorit 2025. Kjo rënie korrespondoi me largimin zyrtar të Musk nga administrata Trump.
Video që po qarkullon në rrjete sociale dukshëm është një manipulim që shfrytëzon rrejshëm imazhin e Trump për të nxitur njerëzit të harxhojnë para, në këtë rast duke blerë Dogecoin.