.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI manipuluar parashikimi i motit për “mashtrimin me ngrohjen globale”

I manipuluar parashikimi i motit për “mashtrimin me ngrohjen globale”

Një imazh i shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale ku duken dy harta ku tregohet parashikimi i motit ka ngritur pretendimin se parashikuesit kanë përdorur ngjyrën e kuqe në hartën e vitit 2022 me qëllim ekzagjerimin e ndryshimeve klimatike. Kjo është e pavërtetë. Hartat janë të dy  organizatave të ndryshme suedeze, të cilat përdorin ngjyra të ndryshme për raportimet e tyre.

Në vitin 1998 e quajtën verë – tani lyejnë çdo gjë të kuqe dhe e quajnë mot ekstrem.” – kështu shkruhet në imazhin e shpërndarë në rrjete sociale ku duken krah njëra-tjetrës dy harta të Suedisë, njëra që mban vitin 1998 dhe tjetra vitin 2023. Pretendimi i ngritur nga ky publikim është se edhe pse temperaturat kanë qenë më të larta në vitin 1998 krahasuar me atë të vitit 2023, parashikuesit e motit sot e ngjyrosin hartën me të kuqe për të ekzagjeruar të nxehtin dhe për ta lidhur atë me ngohjen globale. 

Kjo foto është ndarë në 8 gusht edhe në profilin në Facebook të publicistit të teorive konspiracioniste, Alfred Cako, e shoqëruar me ironi me fjalët: “Kujdes nga nxehja globale”.

Një verifikim i Faktoje tregon se imazhi është i manipuluar. Kjo foto qarkullon në rrjet prej vitit 2022 kur u shpërnda në rrjetin social Twitter. Asokohe, imazhi tregonte të njëjtën hartë, por vitet e pretenduara ishin 1986 dhe 2022.

Harta e parë, e korrikut 2016

Harta e gjelbër mban datën 1986, ndërsa tjetra, harta portokalli mban datën 2022. Pretendimi është shpërndarë gjerësisht dhe në gjuhë të ndryshme, duke e quajtur ngorohjen globale një mashtrim.

Por as këto dy vite nuk i përkasin hartave të publikuara në imazh.

Harta e parë, ajo jeshile, i përket korrikut të vitit 2016.

*procesi i kërkimit përmes Google Images të imazhit origjinal

Si duket edhe nga krahasimi i hartave ato përputhen 100% me njëra tjetrën, duke vërtetuar se temperaturat e shënuara në hartën jeshile të postimit në rrjete sociale nuk është e vitit 1986 dhe as e vitit 1998, por e vitit 2016.

Parashikimi i motit në këtë kanal televiziv për gushtin e vitit 2023 tregon gjithashtu se hartat janë në ngjyrë jeshile, jo portokalli apo të kuqe. Kjo vlen edhe për arkivin e kërkueshëm në faqen zyrtare të këtij televizioni. Hartat e motit SVT gjithashtu kanë të gjitha pamje vizuale që tregojnë diell dhe re, gjë që nuk është rasti për hartën portokalli të përfshirë në postime.

Harta e dytë, e gushtit 2021

Të njëjtën mënyrë kërkimi që përdorëm për gjetjen e hartës së parë, e bëjmë për hartën e dytë, atë që shfaqet portokalli në imazh. Motorri i kërkimit të Google na sugjeron një imazh që është 100% i njëjtë me hartën portokalli, por me temperatura të ndryshme.

Personi që ka shpërndarë imazhin thotë se i ka marrë nga televizioni TV4.

Me një kërkim në rrjet mbi motin në televizionin TV4 rezulton se ky informacion është faktuar edhe më herët në gjuhë të ndryshme si i pavërtetë. Imazhe të ditës kur kjo hartë portokalli është shfaqur në ekranin e televizionit suedez TV4 tregojnë të njëjtën hartë dhe të njëjtat temperatura, si ajo e pretenduar se i përket vitit 2023.

Në fakt, videoja shënon datën 13 gusht 2021.

Me një kërkim në videot e publikuara në rrjetin social facebook nga TV4 shihet se prezantuesja e motit është e njëjta, Madeleine Westin.

Ndryshimet klimatike të padiskutueshme

Pretendimet që synojnë të minimizojnë efektet apo të mohojnë plotësisht ngrohjen globale apo rolin e njerëzve në ndryshimet klimatike qarkullojnë rregullisht në mediat sociale.

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPÇ), trupa e Kombeve të Bashkuara njihet nga komuniteti shkencor ndërkombëtar si një burim i besueshëm për ngrohjen globale. Ai publikon raporte të rregullta vlerësimi.

Në vitin 2021 dhe 2022, IPÇ publikoi raportin e saj të gjashtë të vlerësimit, duke paralajmëruar nevojën për masa urgjente për të ulur emetimet e gazrave serë dhe për të shmangur ngrohjen katastrofike globale.

Nisur nga këto të dhëna dalim në përfundimin se imazhi është modifikuar me qëllimin për të shpërndarë një pretendim të pafaktuar, ndaj për rrjedhojë është i pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img