I limituar studimi korean për rritjen me 50 % të tumoreve nga vaksinimi

16

Pretendimi: Vaksinat kundër COVID-19 rritën me 50 përqind incidencën e tumoreve pas një viti

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Në median shqiptare (link, link, link, link) qarkulloi në fillimin e nëntorit lajmi për zbulimin e një lidhjeje mes vaksinave mRNA kundër COVID-19 dhe rritjes së rasteve me kancer. Lajmi mbështetet në një studim të publikuar nga disa kërkues koreanë, të cilët  analizuan mbi 8 milionë persona duke zbuluar një rritjeje me rreth 50% të incidencës së tumoreve te personat e vaksinuar krahasuar me ata të pavaksinuar. 

Pothuaj të gjithë artikujt, i referohen një postimi në Facebook të kardiokirurgut Edvin Prifti, një zëri të njohur kritik ndaj vaksinimit kundër Covid-19, duke anashkaluar konsultimin e studimit korean që ka shërbyer si burim i këtij lajmi.  

Nëse do të analizohej ky studim, do të mund të kuptohej se përfundimet keqinterpretojnë hulumtimin shkencor. Më konkretisht, studimi i titulluar “Rreziqet 1-vjeçare të kancerit të lidhura me vaksinimin COVID-19: një studim i madh i bazuar në popullatë në Korenë e Jugut”, prezanton gjetjen e një studimi epidemiologjik mbi një bazë të dhënash prej më shumë se 8 milionë individësh në Korenë e Jugut. Duke krahasuar kartelat mjekësore dhe modelet e riskut të tyre, ekipi i studiesve të drejtuar nga doktori Hong Jin Kim, konstatoi një diferencë me rreth 50% të incidencës së tumoreve te personat e vaksinuar krahasuar me ata të pavaksinuar, vetëm një vit pas këtij vaksinimi. Megjithatë, vetë studiuesit kufizohen në ngritjen e shqetësimit dhe kërkesën e më shumë studimeve në këtë drejtim duke pranuar kufizimin e teknikës krahasimore të përdorur. 

Siç shpjegojnë ekspertët për organizatën e verifikimit të fakteve Full Fact, do të ishte e pamundur për mjekët të vërtetojnë çfarë shkakton zhvillimin e një tumori brenda vetëm një viti. Dr. Benjamin Mazer nga Universiteti Johns Hopkins sqaron se “asnjë kancerogjen nuk mund të shkaktojë kancer aq shpejt. Mutacionet kërkojnë kohë për t’u grumbulluar dhe qelizat kërkojnë kohë për t’u shumëzuar”. Vetë studiuesit koreanë pranojnë se periudha njëvjeçare e ndjekjes është shumë e shkurtër për të vlerësuar origjinën e kancerit.

Metoda krahasimore e studiesve koreanë vihet në pikëpyetje në një parim të njohur në studime, e quajtur “Shkakësia e kundërt”. Pra,  njerëzit me një rrezik më të lartë për kancer, ndoshta sepse kanë probleme të tjera shëndetësore, patën më shumë arsye që të vaksinoheshin.

Gjithashtu, parimi i “njëanshmërisë së mbikëqyrjes”, është gjithashtu një faktor që duhet të kihet parasysh në këtë ushtrim. Njerëzit që kanë më shumë gjasa të vaksinohen kanë më shumë gjasa të testohen ose të kontrollohen për kancer, duke i bërë ata gjithashtu më të prirur të diagnostikohen me të në një afat të shkurtër – por në të vërtetë jo më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen.

Në një pamje të përgjithshme, nuk ka ndonjë shenjë të një rritjeje të madhe të këtyre kancereve në Korenë e Jugut pas shpërndarjes së vaksinave Covid – gjë që do të pritej nëse vaksinat do të shkaktonin vërtet më shumë prej tyre. 

Tabloidi britanik Daily Mail, një media sensacionaliste që shërben shpesh si furnizuese e lajmeve për portalet shqiptare, pretendoi pas publikimit të studimit se “kërkuesit koreanë gjetën prova që vaksinat rrisnin rrezikun e gjashtë llojeve të kancerit”. Megjithatë, pas verifikimit nga organizata Full Fact, Daily Mail u detyrua ta korrigjonte artikullin. Në fakt, studimi në fjalë kishin arritur në përfundim se ka një lidhje statistikore midis vaksinave dhe kancerit, por në studim vihet në dukje qartë se ata nuk kishin vërtetuar që vaksinat ishin shkaku i kancerit. 

Më tej, nëse do të ishte e vërtetë që vaksinat shkaktojnë kancer, shkencëtarët do të vinin re një rritje të konsiderueshme të këtyre rasteve në Korenë e Jugut që pas fillimit të vaksinimit për COVID-19, gjë që nuk ka ndodhur. Organizata kundër kancerit, Cancer Research UK, e ka deklaruar qartë: “Nuk ka prova përfundimtare për një lidhje midis vaksinës COVID-19 dhe rrezikut të kancerit. Vaksina është një mënyrë e sigurt dhe efektive për t’u mbrojtur nga infeksioni”.

Studime të shumta klinike, që përfshijnë mijëra njerëz, dhe monitorimi i qindra milionë dozave të administruara kanë konfirmuar se vaksinat mRNA janë të sigurta, me efekte anësore serioze shumë të rralla. Instituti Kombëtar i Kancerit dhe Shoqata Amerikane e Kancerit kanë thënë se nuk ka informacion që sugjeron që vaksinat COVID-19 shkaktojnë kancer, e bëjnë atë më agresiv ose çojnë në rikthimin e tij.