Pretendimi: Aktori i humorit Besart Kallaku humb njeriun e afërt
Verdikti: I pabazë
Një postim i bërë nga aktori Bes Kallaku është përdorur nga portalet me qëllim tërheqjen e klikimeve.
“Qofsh i parajses, na e theve zemrën…’ Bes Kallaku bën postimin e papritur për…”-shkruajnë portale.
Ndërkohë, shihet që në foton që shoqëron publikimin, aktori shfaqet me gjyshen e tij, e cila është gjithashtu një figurë e njohur për ndjekësit e rrjeteve sociale.
Kjo ka ngatërruar shumë përdorues të mediave sociale, të cilët kanë shprehur në komente ngushëllimet për gjyshen, ndërsa të tjerë kanë shprehur pakënaqësinë për abuzimin që bëhet nga portalet.
Përpos fotos, që ka si qëllim manipulimin e lexuesve online, portalet kanë abuzuar edhe me titullin, në mënyrë që të tërheqin klikime.
Artikulli në brendësi nuk ka lidhje me gjyshen e aktorit Bes Kallaku, por me një postim të bërë nga ai për humbjen e një prej miqve të tij, në moshë të re.
Lajmi i publikuar nga portalet manipulon lexuesit me një titull abuziv, por përdor edhe një foto ilustruese që nuk ka lidhje me postimin.
Shënim:
Data 31 korrik 2024 faqja Lajme TV dhe postimi i tyre në FB e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.