I keqinterpretuar imazhi i helikopterit që lëshon mushkonja të modifikuara

759

Në rrjete sociale po qarkullon një video e një helikopteri në Florida të SHBA-ve për të cilin përdoruesit pretendojnë se po hedh mushkonja të modifikuara gjenetikisht për të përhapur sëmundje nga ajri. Verifikimet i hedhin poshtë këto pretendime.

Përdoruesit e mediave sociale po shpërndajnë një video në të cilën shfaqet një helikopter teksa lëshon një substancë të errët në ajër, duke pretenduar se mjeti fluturues po lëshon mushkonja të modifikuara gjenetikisht nga Bill Gates për të përhapur sëmundje.

“Helikopteri që lëshon mushkonjat” apo “Faleminderit Bill Gates”, lexon mbishkrimi në krye të shumë versioneve të videos të shpërndara në rrjete sociale. 

“Helikopterët lëshojnë mushkonjat e Bill Gates në zonën e Kalifornisë”, shkruan një përdorues i facebook në Shqipëri, teksa pretendon se janë disa helikopterë.

Por verifikimet tregojnë se, pamjet nuk tregojnë mushkonja – dhe programi i mushkonjave në Florida, që merret si referencë për postimet nuk financohet nga Gates, as përhap malarien. 

Kolegët tanë të verifikimit të fakteve në Associated Press sqarojnë se pamjet janë në internet të paktën që nga 27 gushti, kur një përdorues e postoi videon në TikTok. 

Postimi përfshin një hashtag që identifikon vendndodhjen si West Little River në Miami – që përputhet me dyqanet dhe shenjat që shihen në klip. Nuk përmend mushkonjat, përkundrazi teksti që mbivendoset mbi videon thotë: “Miami #Que Esta Tirando?” që në anglisht përkthehet  “Çfarë po hedh?”. 

Përdoruesit që pretenduan se kjo ishte e lidhur me mushkonjat, po i referohen punës nga kompania bioteknike Oxitec, e cila lëshon mushkonja të modifikuara gjenetikisht në Florida, në një përpjekje për të luftuar sëmundjet e transmetuara nga insektet, si ethet e Denguerit dhe virusi Zika.

Edhe në shkrime të tjera, AP ka shpjeguar se Fondacioni Bill & Melinda Gates ka ndihmuar në financimin e punës së kompanisë Oxitec jashtë vendit, por fondacioni nuk ka financuar programet e tij në SHBA. Më tej, mushkonjat e modifikuara gjenetikisht të kompanisë nuk janë të afta të transmetojnë malarien sepse janë të gjitha meshkuj dhe vetëm mushkonjat femra kafshojnë.

Po ashtu, Oxitec nuk i lëshon këto insekte nga helikopterët, tha zëdhënësi i kompanisë Jamie Lester për AP. Ato lëshohen përmes kutive të vogla dhe mushkonjat dalin gradualisht gjatë disa ditëve. 

Lawrence Reeves, një entomolog në Laboratorin Mjekësor të Entomologjisë në Florida, shtoi se do të ishte joreale të lëshoheshin mushkonjat nga ajri në sasitë e nevojshme për të krijuar rrymën e errët që shihet në video.

Megjithatë, edhe pse AP nuk mund të konfirmonte se çfarë substancë ishte lëshuar nga helikopteri që tregojnë pamjet, në versionin me cilësi më të lartë në TikTok, duket se është tym dhe disa komentues sugjeruan se ishte pjesë e një feste për zbulimin e gjinisë – ku prindërit e ardhshëm shpesh lëshojnë tym blu ose rozë për të shpallur gjininë e një foshnje.

Jose Corona, një pilot nga Alamo Helicopter Tours në Teksas, tha se dukej se ishte një zbulim gjinor duke përdorur një flakë të varur poshtë helikopterit për ta mbajtur atë larg nga bordi – një teknikë që ai nuk e kishte parë apo përdorur më parë.

Ndërsa Tom McDermott, një menaxher në Akademinë e Helikopterëve në Florida, vuri në dukje se helikopteri nuk ishte i lidhur me kompaninë e tyre, por ra dakord se ishte një zbulim i gjinisë dhe ngjyra duket të jetë blu – një djalë.