Pretendimi: Financial Times ka pranuar se kemtrajlet nuk janë teori konspirative
Verdikti: Mungon konteksti
————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se gazeta britanike “Financial Times ka pranuar” se spërkatja kimike nga avionët nuk është teori konspirative, por “një fenomen i vërtetë”, që ndihmon kundër ngrohjes globale.
Imazhi i turbullt që shoqëron postimin e mësipërm tregon burimin e këtij pretendimi, një artikull të 4 shtatorit me titullin: “Financial Times: “Kemtrajlet NUK janë komplot – ato ndihmojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike””.
Artikulli është botuar nga portali amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Artikulli i The People’s Voice i referohet një artikulli të botuar në 2 shtator në gazetën Financial Times, i cili mban titullin “Gjeoinxhinieria ia vlen rrezikun – me kusht që të rregullohet siç duhet.”
Artikulli i Financial Times
Në përmbajtjen e artikullit, autori propozon përdorimin e teknikave gjeoinxhinierike si modifikimi i rrezatimit diellor (SRM) për të luftuar efektet e ngrohjes globale në Tokë. Ai shpjegon, në teori, avantazhet dhe disavantazhet e këtyre teknikave dhe vështirësitë që mund të hasen në implementimin e tyre, duke theksuar se ato duhet të përdoren krahas ndërmarrjes së masave për uljen e emetimeve të karbonit dhe jo në vend të tyre.
Në asnjë moment artikulli nuk përmend kemtrajlet apo teoritë konspirative, e aq më pak të “pranojë” se kemtrajlet nuk janë teori konspirative, por fenomen i vërtetë.
Pretendimi që qarkullon mes konspiracionistëve ngatërron teknologjitë gjeoinxhinierike me “gjurmët kimike”, të quajtura dhe kemtrajle, të cilat ekzistojnë vetëm në teorinë konspirative që pretendon se qeveritë apo entitete të tjera keqdashëse spërkasin fshehurazi kimikate toksike në atmosferë me anë të vazhdave të avullit që lënë pas avionët.