Pretendimi: Rënia e globit në këtë video tregon se NASA gënjen për ekzistencën e hapësirave me gravitet zero
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Konspiracionstët në rrjet po shpërndajnë një video që duket se tregon disa astronautë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar si provë se ekzistenca e hapësirave pa gravitet është mashtrim. Këtë pretendim e mbështesin në rënien e një globi që njëri prej astronautëve mban në dorë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është shkëputur nga një video më e gjatë e postuar në Youtube nga NASA më 22 prill 2021.
Astronautët në video po merrnin pjesë në një transmetim të drejtpërdrejtë pyetjesh dhe përgjigjesh për Ditën e Tokës më 21 Prill 2021, të organizuar nga këngëtari Shawn Mendes. Nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, ata morën pyetje nga fëmijë në mbarë botën.
Në klipin që po qarkullon në rrjete sociale, Michael Hopkins, astronauti në skajin e djathtë, po mban një glob plastik ndërsa i përgjigjet një pyetjeje. Ai mban një mikrofon në dorën e majtë, ndërsa me krahun e majtë mban globin duke e shtrënguar pas trupit. Ai humb kontrollin e globit, i cili bie poshtë dhe del jashtë kornizës. Pak sekonda më pas, klipi përfundon.
Megjithatë, nëse shohim videon e plotë, vërejmë se, pasi globi del nga korniza, ai rishfaqet, duke pluskuar lart në anën e djathtë të kornizës, siç tregohet në videon e mëposhtme
Në videon e plotë, globi shfaqet për herë të parë kur astronauti japonez Soichi Noguchi e kap atë nga një zonë prapa tij. Globi mund të shihet duke pluskuar në ajër ndërsa një tjetër astronaut i përgjigjet një pyetjeje. Globi zhvendoset poshtë, lart dhe rri në vend, në varësi të lëvizjeve të duarve të astronautëve që e prekin atë.
Disa herë në video, mund të shihet edhe mikrofoni që pluskon në hapësirë ndërsa astronautët ia kalojnë atë njëri-tjetrit.