Pretendimi: Ky imazh tregon një polic shqiptar duke shtrënguar duart me një vajzë që iu lut të mos i vendoste gjobë sepse ishte në shkollë
Verdikti: E pavërtetë
————————————————-
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një imazh që shoqërohet me një histori prekëse të një vajze, e cila kishte lënë një shënim në xhamin e makinës duke iu lutur policëve të mos i vendosnin gjobë sepse ishte në shkollë. Policët mirëkuptues nuk i kishin vënë gjobë, duke lënë një shënim të tyrin ku e nxisnin atë të mësonte në shkollë.

Historia duket se e ka origjinën në një postim të JOQ Albania dhe nuk është subjekti i këtij verifikimi. Megjithatë, postimi i JOQ Albania nuk përmban imazhin e mësipërm, të shtuar më vonë nga portalet që kanë marrë historinë.

Ky imazh, megjithëse mund të duket se tregon policin dhe vajzën nga historia, në fakt është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale.
Një tregues kryesor i origjinës joreale të imazhit është stema në mëngën e uniformës së policit. Megjithëse i përngjan stemës zyrtare të Policisë Shqiptare, ajo përmban shenja që përngjajnë me tekst, por janë të padeshifrueshme. Njëjtazi edhe stema në kapele, nuk është ajo e shqipojnës dykrenare të artë që mban policia shqiptare.

Stema e gjeneruar (lart) krahasur me stemën reale të Policisë së Shtetit (poshtë)
Më tej, një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.”
Një tjetër variant i fotos së gjeneruar me AI është publikuar edhe nga portale të tjera me të njëjtin tekst.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.”
SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.






