Pretendimi: Ky imazh tregon presidentin amerikan Donald Trump, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, dhe trafikantin Jeffrey Epstein duke u përqafuar.

Verdikti: Gjeneruar me AI

——————————————————————

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një përqafim mes presidentit amerikan Donald Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, dhe famëkeqit Jeffrey Epstein.

Imazhi i sipërm, megjithatë, është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Treguesit e zakonshëm të gjenerimit me AI, si përngjasimi pamor me një pikturë më shumë se me një fotografi dhe gjymtyrët e deformuar, janë të dukshëm me sy të lirë.

Jeffrey Epstein, financier dhe pedofil amerikan, u vetëvra në burg në vitin 2019, ndërsa priste të gjykohej për trafikim seksual të të miturve.

Imazhi i mësipërm po qarkullon ndërsa administrata Trump e gjen veten në mes të një stuhie pakënaqësie publike për shkak të vendimit të saj për të mos publikuar asnjë dosje shtesë hetimore mbi Epstein, pasi premtoi të nxirrte një të ashtuquajtur “listë klientësh” të njerëzve të lidhur me Epstein që mund të kenë marrë pjesë në akte të paligjshme.

Për ta bërë edhe më të prekshme imazhin, personazheve në foto i është shtuar edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke rikujtuar prejardhjen hebreje të Epstein si dhe përfshirë në imazh një nga politikanët më të akuzuar në rrjet si fajtor për vrasjet e mijëra civilëve në Gaza.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.