Pretendimi: Kjo video tregon pamje reale nga një muze i braktisur dylli me temë pedofilin dhe trafikantin e fëmijëve Jeffrey Epstein
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një muze dylli të braktisur, në të cilin shfaqen statuja dylli të vendosura në skena që kanë lidhje me çështjen e pedofilit dhe trafikantit të fëmijëve Jeffrey Epstein dhe ishullit të tij privat ku ndodhte abuzim seksual i të miturve.

Video përmban skena të rikrijuara me statuja dylli, të bazuara në fotografi reale, dhe skena të imagjinuara.

Megjithatë, vetë video është e gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillmisht në TikTok më 30 dhjetor 2025 nga llogaria emri i së cilës shfaqet dhe si mbishkrim në video, @demonflyingfox.

Siç vërehet, vetë autori i videos e ka etiketuar atë në TikTok si të gjeneruar me AI.
Në fakt, i tërë profili i demonflyingfox, që sipas përshkrimit në Youtube dëshiron “të tregojë se çfarë është e mundur me inteligjencën artificiale”, përbëhet nga përmbajtje të gjeneruara me AI.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.






