I gjeneruar ky imazh prekës i vajzës që humbi nënën

15

Pretendimi: Ky imazh tregon një vajzë të vogël, së cilës i lindi një vëlla i vogël, por humbi të ëmën gjatë lindjes

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————–

Një imazh është shpërndarë gjerësisht rrjete sociale shqipfolëse duke marrë mbi  21 mijë pëlqime në Facebook dhe 5 mijë në Instagram pretendohet se tregon një vajzë të vogël, e cila humbi të ëmën gjatë lindjes së vëllait të saj të vogël.

Imazhi ka marrë gjithashtu qindra komente dashamirëse.

Megjithatë, imazhi i mësipërm, ‘personat’ në të dhe historia e tyre janë trillim. Ato janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Ky imazh është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.” 

Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.

Llumi AI zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si keqardhje për vogëlushen që ka humbur mamanë.

Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.

Shembuj të llumit AI në Facebook

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.