Pretendimi: Ky imazh tregon një ushtar ukrainas para dhe pas 400 ditësh luftë
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon një ushtar ukrainas përpara dhe pasi u kthye në shtëpi pas 400 ditësh në luftë.
Megjithatë, personat në imazh nuk janë realë. Ky imazh është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo dallohet më qartë në ndryshimin në gjatësi të ‘ushtarit’. Duket se para se të shkonte në luftë, ai ishte më i shkurtër, në krahasim me ‘gruan’ që ka pranë. Në imazhin e dytë vërejmë se ndryshimi mes gjatësisë së dy personazheve është më i madh, siç tregohet më poshtë.
Burri në imazhin majtas është më i shkurtër se burri në imazhin djathtas
Imazhi i mësipërm është një nga disa të tillë, të gjeneruar me AI, që qarkullojnë në rrjet me pretendimin se tregojnë ushtarë ukrainas të kthyer nga lufta. Këto foto shoqërohen me histori të trishtueshme, por pa emra, pa sfonde, pa koherencë përtej fotove çuditërisht të lëmuara dhe rrëfimeve që të copëtojnë zemrën.
Imazhe të ngjashme të gjeneruar me AI
Vlen këtu të bëjmë një krahasim me fotot reala para-dhe-pas të ushtarëve, nga ku mund të jenë frymëzuar dhe krijuesit e këtyre imazheve të gjeneruara.
Mykhailo Dianov, një muzikant që shërbeu në regjimentin Azov, ishte një nga 215 të burgosurit e luftës të liruar në një shkëmbim të papritur të burgosurish midis Ukrainës dhe Rusisë në shtator 2022. Fotot e Dianov të shpërndara nga ushtria ukrainase e tregojnë atë të dobësuar, të mavijosur dhe me shenja pas kohës së tij në një burg rus.
Oleksandr Strafun, i cili po luftonte në Mariupol, kontaktoi familjen për herë të fundit më 1 mars 2022. Më 14 qershor 2025, Strafun u kthye në shtëpi gjatë një shkëmbimi të të burgosurve të luftës. Imazhi i mëposhtëm krahason një foto të tij 1 muaj para robërisë, me një foto pas lirimit të tij nga burgu.
Këto imazhe janë shembuj i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.
Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit. Llumi AI që nxit mëshirë, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim.
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.