I dyshimtë studimi mbi rritjen e arresteve kardiake pas vaksinimit

189

Pretendimi: Një studim ka treguar se numri i lartë i vdekjeve si pasojë e arrestit kardiak është shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————–

Një postim i ish-shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, ka frymëzuar një sërë portalesh dhe mediash shqipfolëse për të raportuar se një studim i fundit ka treguar se rritja e vdekjeve nga ataku kardiak mund të jetë shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid.

Megjithëse në postimin e tij, Prifti është i kujdesshëm të mos pretendojë një lidhje shkak-pasojë mes arresteve kardiake, portalet e kanë marrë insinuatën e tij si të mirëqenë. 

Në postimin e tij, Prifti i referohet një studimi të botuar në tetor 2024 në revistën Journal of Emergency Medicine me autorë Nicolas Hulscher, Michael Cook, Raphael Stricker, dhe Peter A. McCullough.

Hulscher dhe McCullough njihen për përhapjen e keqinformimit lidhur me sigurinë e vaksinës anti-Covid-19. 

Hulscher, është administrator i Fondacionit McCullough dhe drejton llogarinë në X/Twitter të Fondacionit McCullough. Vetë McCullough është drejtues shkencor i The wellness company, e cila shet një protokoll trajtimi të paprovuar kundër “lëndimeve nga vaksina COVID-19”. Kjo përfaqëson një konflikt interesi, ndikimi i mundshëm i të cilit në vlerësimet e McCullough nuk mund të nënvlerësohet.

Studimi konsiston në një analizë krahasimore të dhënash mbi vdekshmërinë e shtuar nga arresti kardiak dhe vaksinimin anti-Covid në King County, Washington, ShBA në periudhën 2015-2023.

Autorët gjetën “një lidhje domethënëse ekologjike dhe kohore midis arresteve të tepërta fatale kardiopulmonare dhe fushatës së vaksinimit Covid-19.” Megjithatë, ata pranojnë se “rritja e vdekjeve të tepërta nga arresti kardiopulmonar mund t’i atribuohet gjithashtu infeksionit Covid-19 dhe ndërprerjeve në kujdesin emergjent gjatë pandemisë.”

Më tej, kur shpjegojnë kufizimet e studimit, vetë autorët paralajmërojnë se ai nuk mund të përdoret për të provuar një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe vdekjeve të tepërta. Provimi i një lidhjeje të tillë “do të kërkonte një gjykim të pavarur klinik të secilit rast, duke përfshirë gjetjet e autopsisë kur kryhet.”

“Studimi ynë ka të gjitha kufizimet e të dhënave ekologjike ku informacioni i nivelit të rastit individual nuk është i disponueshëm. Pohimi i një lidhjeje shkak-pasojë midis vaksinimit kundër Covid-19 dhe vdekjeve të tepërta në studimin tonë do të kërkonte një gjykim të pavarur klinik të secilit rast, duke përfshirë gjetjet e autopsisë kur kryhet. Ka variabla të shumtë potencialë, të pa llogaritur ngatërrues, si ndryshimet në aksesin në kujdesin shëndetësor, variacionet në ndërhyrjet në shëndetin publik, faktorët socio-ekonomikë, përdorimi i drogës dhe infeksioni Covid-19 që mund të kenë ndikuar në rezultatet e arrestit kardiopulmonar. Ngatërrimi i pakontrolluar mund të çojë në një gjetje false pozitive (Gabimi i tipit I), si dhe në një efekt të rremë negativ ose të nënvlerësuar (gabim i tipit II). Kështu, lidhja e vëzhguar midis shkallës së vaksinimit dhe vdekshmërisë së tepërt të arrestit kardiopulmonar mund të duket më e madhe ose më e vogël se marrëdhënia e vërtetë për shkak të variablave ngatërrues të pa llogaritur. Rënia e papritur e popullsisë në King County gjatë pandemisë mund të jetë ndikuar nga migrimi ose zhvendosjet e përkohshme, të cilat nuk janë përfshirë plotësisht në të dhëna. Modeli ynë mbështetet në ekstrapolimin e tendencave para pandemisë, duke supozuar se kushtet themelore mbeten konstante,” shkruajnë autorët.

Nëse zgjerojmë fushëpamjen e studimit, duke krahasuar në rang global të dhënat mbi vdekjet e tepërta me shifrat e vaksinimit, vërehet se vendet me vaksinimin më të lartë, Zelanda e Re, Danimarka dhe Australia, kishin vdekjet e tepërta më të ulëta dhe ato më pak të vaksinuara, për shembull, Shqipëria, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, kishin vdekjet e tepërta më të larta. 

Prifti ka shpërndarë dhe më parë keqinformim lidhur me vaksinën anti-Covid.