Pretendimi: SHBA hoqën nga lista e “non grata” Sali Berishën
Verdikti: Mungon konteksti
Statusi “non grata” i Sali Berishës me ardhjen e administratës Trump, u kthye në një çështjet më të diskutuara të fushatës zgjedhore. Tre ditë para zgjedhjeve të 11 majit, një deklaratë e një zëdhënësi të Departamentit Amerikan të Shtetit, e përcjellë nga gazetari amerikan Marc Caputo, u përkthye në Shqipëri si një fitore e udhëheqësit opozitar.
Në një postim në platformën “X”, Caputo citonte DASH-in, duke shkruar se “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA”
Postimi përfshinte edhe një koment të Departamentit të Shtetit, edhe pse jo nga ndonjë zëdhënës i cituar nominalisht, mbi përjashtimet e mundshme për individë të caktuar nga përjashtimi i kufizimeve të udhëtimit në SHBA.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”
Më tej në reagim theksohej se SHBA nuk do të lejonte që vendimet e politizuara të epokës së Biden-it të pengonin interesat e saj në politikën e jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë
Përgjigja, ndonëse fliste për mundësi përjashtimesh dhe jo për heqje të shpalljes “Non Grata”, u interpretua gjerësisht në Tiranë si heqje e sanksionit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Tituj si “SHBA i heq Non Grata-n Berishës” apo “SHBA rrëzon non – gratën e Berishës” u shpërndanë me shpejtësi në portale dhe rrjete sociale, duke ndezur debatin publik vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve.
Për të verifikuar saktësinë e këtyre pretendimeve, Faktoje i drejtoi një kërkesë zyrtare Departamentit Amerikan të Shtetit me dy pyetje të drejtpërdrejta:
1. A e ka hequr Departamenti i Shtetit statusin ‘Non Grata’ për ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha?
2. A ka dhënë SHBA një përjashtim (waiver) për të lehtësuar udhëtimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara?
Në përgjigje të kërkesës për informacion, zyra e shtypit e Departamentit të Shtetit shkruan: “Departamenti nuk ka asgjë për të raportuar mbi këtë përcaktim në këtë moment”.
Kërkesa zyrtare dhe përgjigja nga zyra e shtypit e DASH
Në këtë reagim Departamenti i Shtetit nuk konfirmon dhe as mohon mundësinë e ndonjë ndryshimi në statusin ‘Non Grata’ të Sali Berishës, si dhe nuk jep informacion për ndonjë përjashtim apo leje hyrjeje në SHBA. Në thelb, DASH mban një qëndrim “pa koment” mbi çështjen për momentin, duke lënë të kuptohet se pozicioni i mëparshëm i SHBA ndaj Berishës mbetet ende në fuqi.
Edhe në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit ende figuron vendimi për shpalljen “Non Grata” të Berishës duke konfirmuar se pavarësisht komenteve aktuale të administratës Trump, procedura zyrtare e shfuqizimit të vendimmarrjes të ish-Sekretarit të Shtetit Blinken, ende nuk është vënë në lëvizje.