Heqja e kamerave në Izrael jo për të fshehur dëmet nga dronët iranianë

5

Pretendimi: Kjo video tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane në mars 2026

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

Në mars 2026, ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketash, në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një video që pretendohet se tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane.

Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në tetor 2025 në Instagram nga policia e Galilesë Perëndimore, rajoni verior i Izraelit i njohur si Galilmaravi.

Sipas përshkrimit që shoqëron postimin, ky ishte një operacion që shënjestronte instalimin e kamerave nga organizatat kriminale. “Policia nga stacioni i Galilesë Perëndimore vazhdon të çmontojë kamerat e instaluara nga organizatat kriminale”, thuhet në postim.

Operacione të ngjashme janë raportuar nga një media vendase izraelite. Në vitin 2024 dhe në vitin 2025, ajo raportoi operacione kundër trafikimit të drogës ose aktiviteteve të tjera kriminale në të cilat u çmontuan pajisjet e mbikëqyrjes të vendosura nga kriminelët.

Policia e Galilesë Perëndimore ka ndarë edhe video të tjera të këtyre operacioneve, më e fundit në shkurt 2026, të cilat tregojnë se policia hoqi gjashtëmbëdhjetë kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme nga kriminelët që “shkelin hapësirën publike dhe ndikojnë në sigurinë dhe privatësinë e banorëve”.

Kështu, video e mësipërme është postuar në rrjet që në 2025, dhe nuk ka se si të tregojë përpjekjet e ushtrisë izraelite për të fshehur dëmet që mund të kenë shkaktuar raketat iraniane të nisura si hakmarrje ndaj sulmeve amerikano-izraelite në mars 2026.